Lëvizja Vetëvendosje do ta prezantojë programin qeverisës javën e ardhshme. Zëdhënësi i kësaj partie Përparim Kryeziu tha se programi i tyre do të publikohet kur të fillojë fushata zgjedhore.
Partia që po synon ta formojë qeverinë e ardhshme, do ta prezantojë programin e saj qeverisës kur të fillojë fushata elektorale.
“Pa dyshim se po, dhe siç ndodh rëndom ai do të prezantohet gjatë fushatës zgjedhore e cila fillon gjatë javës tjetër”, tha zëdhënësi i VV’së, Përparim Kryeziu.
Opinionisti politik Imer Mushkolaj fokusin kryesor të VV’së e sheh tek sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Duke pasur parasysh parafushatën që ata po e mbajnë, mundemi me supozu që fokusi kryesor ka me qenë luftimi i krimit dhe korrupsionit këto janë dy kauzat që Vetëvendosja i ka promovuar vazhdimisht, këtu po e fus edhe sundimin e ligjit në përgjithësi këto kanë me qenë ma të rëndësishmet. Natyrisht kanë me u fokusu edhe në çështjet që kanë të bëjnë me pandeminë dhe zhvillimin ekonomik nuk e di nëse do të premtojnë pako miliardëshe qysh ka ndodhë me partitë tjera por nuk e shoh të mundur që të ketë program pa e pasur në fokus pandeminë dhe zhvillimin ekonomik”, thotë ai.
Ndërkaq, politologu Fitim Salihu vlerëson se VV nuk do të shpalos program konkret pasi fokusi është në figurën e liderit të saj.
“Mendoj që VV’ja nuk do ta shpalos një program konkret sepse strategjia e saj duket se do të jetë fokusimi në figurën e liderit të saj. Pra, ideja e VV’së është që zgjedhjet t’i fitojë duke shfrytëzuar frymën e akumuluar dhe jo duke bërë zotime konkrete, për të cilat do t’i kërkohej llogari pas tre, gjashtë ose dymbëdhjetë muajsh. Kjo shmangie po vërehet edhe me refuzimin e tyre për të dalë në debate”, tha Salihu për Express.
Sa i përket programit qeverisës rreth politikës së jashtme, Mushkolaj tha se Albin Kurti nuk mund t’i shmanget dialogut teksa nuk pret qasje destruktive të tij në këtë proces.
“Zoti Kurti dje në një konferencë që e kishte online pastaj edhe në Facebook e sqaroi çështjen e dialogut të paktën si e sheh ai. Zakonisht ne në përgjithësi si shoqëri kritikat i kemi për çështjen e dialogut duke pasur parasysh se i ka rrëzuar të paktën këto tri qeveritë e tyre dhe është e natyrshme nëse VV nuk don me e pa dialogun si problem, në fakt elefanti është në dhomë dhe nuk mundesh me u bë sikur nuk ekziston si problem, do të thotë VV dhe Kurti nuk munden me iu shmangë dialogut. Natyrisht që nuk mundem me vepru sikur ka vepru zoti Hoti, qasja do të jetë pak më ndryshe nuk di detaje por të paktën bazuar në atë që e kishte shkruar dje në Facebook pas asaj konferencës online, ai na dha njëfar ideje se kah mundet me shku, por natyrisht nuk pres që të ketë qasje përjashtuese apo destruktive në kuptimin që ne nuk duhet të dialogojmë ose assesi nuk duhet të arrijmë marrëveshje me Serbinë. Përndryshe një prej sfidave më të mëdha të qeverisë Kurti ka me mbet dialogu edhe pse te interesimi i qytetarëve dhe te arsyeja te pse qytetarët kanë me e votu Lëvizjen Vetëvendosje ata që e votojnë, dialogu nuk besoj që hyn as në pesë arsyet kryesore për ta”, tha Mushkolaj.
Sa i përket qasjes në marrëdhëniet ndërkombëtare, politologu Fitim Salihu thotë se Vetëvendosje vazhdon të jetë goxha dogmatike në raport me amerikanët.
“Është vështirë të parashikohet, por nga ajo që kemi parë në vitin e kaluar, VV’ja vazhdon të jetë goxha dogmatike në raport me amerikanët. Paralajmërimet e administratës Biden se do ta respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe se do ta shtyjë idenë e mini-Shengenit rajonal janë sinjale goxha dekurajuese për ata që kanë pritur se VV’ja do ta gjejë tek administrata Biden një administratë më miqësore se ajo e Presidentit Trump”, tha ai.
Ndërkaq ideja e bashkimit kombëtar e proklamuar nga Vetëvendosja dhe e futur në programin e saj më herët, kësaj radhe nuk do të jetë pjesë e VV’së në mënyrë eksplicite vlerëson Mushkolaj.
“Nuk besoj se bashkimin kombëtar do ta fusin në program ashtu siç e kanë pasur më herët në mënyrë eksplicite në kuptimin që Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë, besoj që do të jetë një qasje pak më e butë në kuptim të një integrimi natyrshëm më shumë se sa të një bashkimi. Nëse flitet për integrimin rajonal në Bashkimin Evropian atëherë ka me qenë dallim se si e sheh Vetëvendosja këtë integrim me Shqipërinë karshi vendet tjera të rajonit pra nuk pres që ka me qenë si element ose si një çështje eksplicite çfarë e kanë pasur kur nuk kanë qenë në pushtet ose kur kanë qenë parti më e vogël në opozitë”, tha ai.
Kurse Fitim Salihu thotë se bashkimi kombëtar mund të përfshihet në programin e VV’së por vetëm për qëllime elektorale.
“Albin Kurti në intervistën e parë pasi është zgjedhur kryeministër në shkurt 2020, e ka bërë të qartë se ideja e bashkimit kombëtar është projekt i pamundshëm dhe nuk do të jetë pjesë e agjendës së tij politike. Ndoshta, për arsye populiste e për qëllime elektorale, do ta përfshijnë në program por vetë Kurti ka thënë se kjo ambicie nuk është tanimë realiste që të ndodhë”, tha Salihu.
Në anën tjetër LDK’ja dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Avudllah Hoti në prezantimin e programit qeverisës ka premtuar rritje të pagës minimale në 300 euro dhe investime 6 miliardë euro për 7 vitet e ardhshme.
Edhe kandidati i PDK’së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka premtuar ngritje të pagës minimale në 300 euro dhe rritje pensionesh deri në 40 për qind, duke shtuar se gjatë qeverisjes së tyre Kosova do të arrijë një rritje ekonomike prej 5 deri 7 për qind.
Kurse AAK’ja ka premtuar 1 miliard euro fond për ringjallje ekonomike.