Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë sot pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit, Anthoy Blinken se shqiptarët e Kosovës, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta kishin shtetin e pavarur.
Kjo deklaratë e Ramës vjen pas paralajmërimeve amerikane se me vendimin për ndalimin e dinarit nga Qeveria e Kosovës, është lëkundur aleanca me SHBA-në.
“Nga ana tjetër, patjetër që kemi folur për rajonin, ku kemi ndarë të njëjtat shqetësime. Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë për të gjitha vendet e rajonit, ne jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Ne do të vazhdojmë ta nxisim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA kanë qenë janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes së Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA në rajon për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë, nuk është i dorës së dytë, as një interes i ndarë në çfarëdo aspekti, nga interesi ynë, për të ndërtuar një të ardhme në paqe për gjeneratat e tjera. Ne ndjehemi të keqardhur sa herë shohim hapa mbrapa. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e rajonit, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët të plagëve për ata që jetojnë në Kosovë.”, tha Rama.