Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 188 të Qeverisë, e pikërisht në tre vjetorin e qeverisjes ka thënë se kjo datë paraqet përmbysjen më të madhe politike që nga paslufta.
Kreu i ekzekutivit tha se në këto tri vite dëshmuan se është e mundur të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit e me duar të pastra.
“14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitoreje elektorale, por e përmbysjes më të madhe politike demokratike në Kosovën e pasluftës. Është revolucioni elektoral ku ngadhnjeu mirë qeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminimin. Këto tri vite dëshmuam se është e mundur që të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit, me duar të pastra, duke e ruajtur e mbrojtur vendin, kushtetutshmërinë, dhe paqen e sigurinë. Vendi ynë ka qenë shembull i vërtetë i guximit të vendosmërisë së popullit dhe i qeverisë së tij, në përballje me sfidat e mëdha”, tha fillimisht Kryeministri Kurti.
Kryeministri tha se edhe përkundër që nismat e Qeverisë janë sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, siç tha ai, reformat në drejtësi e ekonomi sërish po bëhen, derisa shtoi se ekonomia në këto tri vite ka shënuar rritje.
“Janë përpjekur ta vonojnë reformën tonë në ekonomi e drejtësi duke i sfiduar nismat tona në Gjykatën Kushtetuese, por reformat do të bëhen e po bëhen. Me punë të ndershme ngritëm të hyrat tatimore, prodhimin, eksportin, dhe investimet e jashtme në shifra të papara ndonjëherë. Në tri vitet e fundit ekonomia jonë ka shënuar rritje të vazhdueshme”, tha ai.
I pari i qeverisë përmendi edhe disa arritje në këto tri vite, që sipas tij janë realizuar.
“Arsimin e lartë e bëmë falas, siç kishim premtuar. Filluam me shtesa për nënat lehona dhe fëmijë, platformën për punësimin e të rinjve, shkatrruam bandat kriminale në vend, ligjshmëria dita ditës po shtrihet, siç kishim premtuar”, shtoi Kurti.
Tutje ai tha se Qeveria që ai drejton ka investuar në FSK më shumë se të gjitha qeveritë së bashku, derisa sa i përket liberalizimit të vizave, kreu i ekzekutivit tha që edhe pse nuk e kanë premtuar, një gjë e tillë u realizuar këtë vit.
“Qeveria në këto tre vite ka investuar më shumë se të gjitha qeveritë e kaluara marrë së bashku ne FSK, duke e bërë serioze në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne nga fillimi i qeverisjes i kemi investuar 239 milionë euro në pajisjet e reja”, shtoi tutje ai, duke thënë se “Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në të”.
“E realizuam liberalizimin e vizave, edhe pse se kishim premtuar. Spanja njohu pasaportat tona, Emiratat e Bashkuara dhe Izraeli hoqën vizat për qytetarët tanë”, tha ai.
Sipas Kurtit, 14 shkurti nuk shënon vetëm Ditën e të Dashuruarve, por e dashurisë për vendin, pasi siç tha ai tani Republika e Kosovës është më e sigurtë e më e qëndrueshme.
“14 shkurti është vullneti i këtij populli për të ndërtuar të ardhmen e tij. Kosova e 14 shkurtit sot pas tri vitesh është Republikë më e fortë, më e qëndrueshme, më e sigurtë për të jetuar. Sot s’është veç dita e dashurisë, por edhe e dashurisë për vendin tonë. 14 shkurti për Kosovën është dita e dashurisë ndaj vlerave dhe interesit të përbashkët”, përfundoi Kurti./Reporteri.net/