Ndalimi i importit të mallrave nga Serbia në Kosovë është reflektuar me shtrenjtimin e disa produkteve në treg, thotë Kreshnik Bublaku, menaxher i një qendre tregtare në Kosovë.
Ai tregon se, si pasojë e ndalesës, furnizime të caktuara duhet të bëhen nga destinacione më të largëta – çfarë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.
Përfaqësues të odave ekonomike në vend thonë se Qeveria duhet ta heqë këtë masë, pasi, sipas tyre, përveçse prek çmimet, ndikon edhe tek investitorët e mundshëm.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po e shqyrton heqjen e ndalesës.
Bublaku, i cili menaxhon qendrën tregtare “Jora Center”, thotë se kjo kompani, pos prodhimeve vendore, siguron tashmë prodhime direkt nga vendet e origjinës në Bashkimin Evropian, të cilat më herët siguroheshin nga Serbia ose përfaqësitë e kompanive të huaja në Serbi.
Meqë transporti është më i gjatë dhe kushton më shumë, disa çmime është dashur të rriten, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Bublaku merr si shembull lëngjet “Bravo” të kompanisë austriake “Rauch”.
“Lëngjet e prodhuara nga kjo kompani janë shtrenjtuar deri në 20 për qind, pasi furnizohemi nga Austria – vend i origjinës”, thotë Bublaku.
Një shishe prej 0.5 litrash me këtë lëng ka kushtuar 55 centë në shtator të vitit 2023; aktualisht është 79 centë.
Albana thotë se edhe çmimet e disa artikujve higjienikë janë rritur tashmë.
“Deterxhenti, shamponi, artikujt tjerë për pastrim…”, numëron ajo.
Këtyre pohimeve u bën jehonë edhe Afrim Hyseni, pronar i kompanisë “Sharri Center”, e cila merret me shitjen e produkteve ushqimore, higjienike dhe të tekstilit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se shumicën e produkteve të importuara nga Serbia, i ka zëvendësuar me produkte nga vendi, rajoni dhe BE-ja.
Sa më larg që është destinacioni i furnizimeve, aq më i shtrenjtë edhe transporti dhe pastaj çmimi i produktit në treg, thotë ai.
Përveç në Kosovë, “ne furnizohemi më shumë në Gjermani, Kroaci dhe Shqipëri”, thotë Hyseni…/REL/