Bjeshkët e Nemuna janë shndërruar në oazë të ndërtimeve pa leje. E në mesin e qindra prej tyre vetëm në fshatin Stankaj janë edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat në 2019 u janë bartur vjehrrave të tyre. Ani se për disa ndërtime që ndodhen pak metra përtej tyre Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për ndërtime pa leje, ndaj tyre ende nuk ka diçka të tillë.
Fshati Stankaj i Rugovës është shndërruar në një oazë të ndërtimeve të egra.
Pyjet kanë humbur dendësinë, duke iu dhënë hapësirë shtëpive, vilave, bujtinave e objekteve hoteliere të ndërtuara në mënyrë në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna.
Në mesin e qindra prej tyre kanë zënë vend edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilët janë të thirrur për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Në kohën kur ishin intensifikuar hetimet për ndërtimet pa leje në atë zonë nga Prokuroria e Pejës, këto prona ishin bartur nga bashkëshortet tek vjehrrat e tyre.
Ani se të dy kanë deklaruar bartjen e këtyre pronave tek vjehrrat, nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me atë se a janë të pajisura me leje ndërtimi dhe se a i kanë njoftuar ato se ndërtimi i tyre është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
“Bashkëshortja ime pronën në fjalë si pasuri e veçantë e saj pa ndryshuar gjendja e pronës ia ka dhuruar nënës së saj. Prona e blerë nga bashkëshortja ime ka qenë në pronësi private të ish-pronarit me dokumentacion të rregullt, e konfirmuar edhe nga zyra noteriale dhe zyra për regjistrimin e pronave, nga rrjedh se nuk ka qenë me asnjë status të kufizimeve për qarkullim”, thuhet në përgjigjen e Zogajt.
Ndërsa Ademaj ka thënë se përgjigjet mund të gjenden në formularët e deklarimit të pasurisë.
“Ju njoftoj se përgjigjet do t’i gjeni në formularët e deklarimit të pasurisë të deklaruar ndër vite nga ana ime në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku në të njëjtit formular do gjeni edhe sqarimet lidhur me çdo pasuri të evidentuar në emrin tim dhe bashkëshortes sime, duke përfshirë mënyrën e fitimit, por edhe tjetërsimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Ademajt.
Ani se atyre iu është ndërruar pronësia, banorët e fshatit Stankaj vazhdojnë t’iu referohen atyre si vila të gjyqtarëve.
Ndonëse janë pa leje, KOHA mëson se ndaj tyre nuk ka ende aktakuzë, ndonëse pak metra tej Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuza për banorë rezidentë të këtij fshati që ndërtuan pa leje.
“Unë edhe pse e kam në pronën time private dhe ka me vite që kam filluar të ndërtojë nga pak nga pak kanë ardhur dhe na kanë dërguar në Gjykatë për shkak se nuk kemi pasur të drejtë pa leje të ndërtojmë, por edhe lejën nuk kemi pasur ku ta marrim për shkak se ka rrënuar Parku dhe komuna nuk ka mundur asgjë të bëjë dhe na kanë dërguar në Gjykata jo vetëm mua, por të gjitha ndërtimet edhe në pronat private”, ka deklaruar Zenel Kurtaj, banor i fshatit Stankaj.
Në Komunën e Pejës thonë se nuk kanë lëshuar asnjë leje ndërtimi në atë pjesë, pasi që nga viti 2013 ajo është kompetencë e Drejtorisë së Parkut Kombëtar.
“Ne nuk kemi lëshuar leje pasi që nga 2015 nuk është nën menaxhimin e Komunës, është nën menaxhimin e Ministrisë dhe nuk kemi pasur të drejtë të lëshojmë leje dhe ne nuk kemi lëshuar leje”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj.
Në Drejtorinë e Parkut Kombëtar kanë thënë se asnjë ndërtim në atë zonë nuk ka leje.
E në Prokurorinë e Pejës thonë se në vazhdimësi kanë pranuar kallëzime penale nga Drejtoria e Parkut dhe nga Policia nën dyshimet për vepra penale ndërtime pa leje.
“Nuk e kam numrin e saktë, por rreth 200 aktakuza në trevën e Rugovës, ndërsa sa i përket Parkut kombëtar mund të themi se i kemi rreth 300 aktakuza të ngritura nga viti 2019 e deri më tani. Për çdo person që ka rënë ndesh me elementet e veprës penale ndërtimet pa leje prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të zhvillojnë proceset hetimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Bjeshkët e Nemuna janë shpallur zonë e mbrojtur nga viti 2013 dhe deri më tani nuk është miratuar ende Ligji për Planin Hapësinor, që do të lejonte ndërtimet në zona të caktuara./koha.net/