Nga imazhet e shpërndara nga kryeministri Kurti duket se ndërtesën e ka bjerrë koha. Fasada ballore ka telashe jo të vogla, përderisa tarracat e kulmit, po ashtu, dalin të jenë të dëmtuara. Për këto pozicione MKRS-ja edhe ka përzgjedhur njërin nga dy operatorët ekonomikë që ishin në garë. Gjashtë pozicione në tarracat e kulmit dhe fasada, janë pjesët ku planifikohet të ndërhyhet.
Rezidenca e ish-presidentit, megjithëse monument, nuk është e qasshme përhershëm për vizitorë. Nuk duket se zgjon shumë interes për vizitorët, por as institucionet kompetente s’e promovojnë e funksionalizojnë si muze.
Rezidenca ka marrë statusin e monumentit qysh prej prillit të vitit 2016. Prej atëherë Ministria e Kulturës paguan 12 punonjës që të kujdesen për atë hapësirë. KOHA edhe në të kaluarën ka raportuar se “Rezidenca e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” kishte edhe telashe me punonjësit shkaku se ata paguhen nëpërmjet kontratave të përkohshme nga MKRS-ja.
Prej shpalljes monument vetëm 20 mijë euro ishin ndarë nga MKRS-ja më 2016 për punonjësit. Vazhdimisht Qeveria kishte ndarë mjete. Kanë qenë gati 100 mijë euro në vit. Në maj të 2019-s qenë ndarë 57 mijë e 944 euro, në nëntor të 2018-s kryeministri i asokohshëm Ramush Haradinaj kishte kërkuar që 12 punonjësit e Rezidencës së ish-presidentit Ibrahim Rugova të jenë punëtorë të rregullt e jo të përkohshëm. Këtë e kishte bërë në mbledhjen e Qeverisë. Por një gjë e tillë nuk është bërë ende.
Qysh kur një pjesë e Rezidencës ishte shpallur monument, vazhdimisht nëpërmjet ndarjeve të veçanta buxhetore është mirëmbajtur objekti në lagjen “Velania” të Prishtinës. Qeveria e Kosovës në pranverë të vitit 2018 kishte hapur sërish arkën e Fondit Rezervë të shtetit për ta mbajtur “gjallë” Rezidencën e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ishin ndarë 57 mijë e 944 euro. Në tetor të vitit 2017, 27 mijë e 857 euro ishin ndarë me të njëjtit destinim. Veprimi i asaj kohe kishte funksionalizuar monumentin, që nga qershori i atij viti kishte qëndruar i mbyllur shkaku i mospagesës së punonjësve, për të cilën gjë KOHA kishte raportuar në korrik të 2017-s.
Dy ciceronë, dy mirëmbajtës dhe shtatë roja punojnë me marrëveshje për shërbime të veçanta në këtë monument. Qysh prej fundit të qershorit e deri në nëntor të vitit 2017 ata nuk ishin paguar, duke bërë që Rezidenca të jetë e mbyllur. Për këtë ekzekutivi kishte ndërhyrë me mjete nga rezerva.
Në nëntor të vitit 2016, gjashtë muaj pasi MKRS-ja e udhëhequr nga Kujtim Shala e shpalli monument, për këtë objekt kishte ndarë 20 mijë euro me synimin që ta funksionalizojë e ta hapë për vizitorë. Projekti ishte punuar nga zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë. Rezidenca në të cilën Rugova kishte zhvilluar veprimtarinë e vet, prej vitit 1993 deri më 2006, është përfshirë në Listën e monumenteve në mbrojtje të përkohshme në tetor të 2016-s. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit ishin konstatuar pesë hapësira që do të hynin nën mbrojtje: në përdhese janë salla e pritjes, salloni kryesor me hapësirat përcjellëse, kabineti i punës i presidentit, dhoma e kristaleve dhe salla solemne. Kjo është e tërë hapësira e Rezidencës, pa aneksin që i është shtuar më vonë.
Në anën tjetër, institucioni më i lartë kulturor në vend vazhdimisht e ka pajisur Rezidencën edhe me lëndë djegëse për ngrohje.
Sipas lëndës në të cilën arsyetohet dhënia e statusit të monumentit, sqarohet se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit janë konstatuar pesë hapësira që janë nën mbrojtje: në përdhese është salla e pritjes, salloni kryesor, me hapësirat përcjellëse, kabineti i punës së ish-presidentit, dhoma e kristaleve dhe salla solemne.
“Brenda ‘Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova’ ka piktura, fotografi të shumta të takimeve të presidentit Rugova me personalitete të vendit dhe të huaj. Guri në oxhakun e kabinetit të punës së presidentit është punuar nga gjyshi i presidentit Rugova. Ky gur është punuar në vitin 1910, si pjesë e kullës së ndërtuar në fillim të viteve 1900”, shkruhet në arsyetim. Aty sqarohet se gjatë viteve 1996 deri 1999 në këtë rezidencë Rugova zhvilloi takime intensive me ambasadorët amerikanë, Richard Holbrooke, Christopher Hill, senatorin amerikan Bob Dole, ambasadorin britanik, Brian Donnelly, ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger, ambasadorët austriakë Wolfgang Petritsch e Albert Rohan, të cilët realizuan organizimin e Konferencës së Rambouillet, e cila rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, më 24 mars 1999.