Programi edukativ në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, “DokuLab”, qëmoti është dëshmuar në përgatitjen e brezave të rinj të filmbërësve. Shumë prej filmave të regjisorëve të rinj që kanë ndjekur mësimet në këtë program do të jenë materiale mbështetëse të njësive mësimore në shkolla të mesme të larta. “Shkolla dhe filmi dokumentar” është programi që e fuqizon dokumentarin si mjet mësimor.
Përtej përcjelljes së rrëfimeve, ngjarjeve, historive a reflektimit mbi një çështje, misioni i filmit shkon përtej. Me programin “Shkolla dhe filmi dokumentar” i shtohet aspekti edukativ. Me filmat e shkurtër dokumentarë në platformën “Biblioteka Digjitale e Mësimdhënësit” të “DokuFestit” synohet avancimi i njohurive te nxënësit. Për efikasitet në praktikimin e kësaj forme mësimi, dy herë në muaj do të organizohet punëtoria për përdorimin e mjeteve audiovizuale në mësimdhënie që synon fuqizimin e mësimdhënësve në këtë drejtim.