Edhe sivjet nuk është përmirësuar ambienti i sigurisë në punë. Krahas të riut nga Klina që vdiq sot, edhe 8 qytetarë humbën jetën në vendin e punës, e shumë të tjerë morën lëndime. Në Inspektoratin e Punës thanë se krahasuar me vitin e shkuar, në 2023-n kanë shqiptuar katërfish më shumë gjoba.
Arbnor Limani ka humbur dorën në një punë që as nuk e donte dhe as nuk dinte ta bënte. Ai u punësua si shofer, por ka thënë se pas dy-tre muajsh, pa vullnetin e tij, ia ndërruan punën.
“Kam vazhduar si shofer nja dy apo tre muaj dhe më thanë nuk kemi punë për shofer, hajde vazhdo në makina dhe unë i kam thënë se nuk kam përvojë dhe nuk di ta përdori atë. Më ka ndodhur rasti, e humba dorën e djathtë”, ka rrëfyer ai.
Arbnori ka thënë se humbja e dorës është përjetimi më i rëndë i jetës së tij. Atëkohë punonte pa kontratë pune, nuk kishte sigurim shëndetësor e as jetësor, ndërkaq i është dashur ta vazhdojë betejën ligjore për kompensim, derisa me punëdhënësin mbërriti një marrëveshje.
“Fajtor ka mbetë ai, por jemi pajtu. Jemi marrë vesh”, ka thënë ai.
Punëtorët, e veçmas ata në sektorin e ndërtimit, u ekspozohen rreziqeve në vendin e punës. Vetëm sivjet, 8 persona humbën jetën në vendin e punës.
Muajin e shkuar, tre persona u nxorën të gjallë pas shembjes së betonit në një objekt ndërtimi, në rrugën regjionale Sllovi-Gjilan.
Agron Zaskoku është ekspert për Siguri dhe Shëndet në Punë. Ai ka thënë se shumë kompani nuk përmbushin kërkesat ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë.
“Skelet ose siguria e punëtorëve dhe siguria publike në vendpunishte iu takon punëdhënësve, por ka vende kur nuk i shohim ato dhe nuk ndërmerren masa ndaj punëdhënësve për mbrojtjen publike, por edhe për mbrojtjen e punëtorëve nëpër punishte”, ka thënë Zaskoku.
E, në Inspektoratin e Punës kanë treguar se çdo ditë hasin në shkelje të të drejtave të punëtorëve që burojnë nga marrëdhënia e punës dhe siguria në punë.
“Në vitin 2022 Inspektorati i Punës ka shqiptuar 359 gjoba. Ndërsa këtë vit, 2023, për periudhën janar-nëntor IP-ja ka shqiptuar 920 gjoba. Përpos katërfishimit të numrit të gjobave, për të siguruar respektimin e të drejtave të punëtorëve nga subjektet, IP ka trefishuar edhe numrin e inspektimeve duke tejkaluar mbi 7 mijë e 300 inspektime për periudhën janar-nëntor”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.
Ndryshe prej këtij realiteti të prezantuar nga Inspektorati, pronarë kompanish ndërtuese kanë thënë se kanë ndërmarrë veprime për të krijuar siguri për punëtorët.
“Në momentin që fillon dikush të punon në kompaninë time, atëherë i ka me veshmbathje dhe me të gjitha pajisjet që i nevojiten, plus i ka sigurimet”, ka deklaruar Besnik Thaçi, pronar i kompanisë ndërtuese “Inon”.
Mungesa e sigurisë në punë, por edhe çështjet që lidhen me pagat, janë disa nga faktorët që kanë çuar në migrim të kosovarëve. Bizneset tashmë kanë nisur ta ndiejnë mungesën e fuqisë punëtore./koha.net/