Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka deklaruar se gjatë 2023-s ka pasur projekte zhvillimore në të gjitha komunat e Kosovës, por ato më të mëdha janë në Deçan, Junik, Mamushë e Podujevë.
Ai ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se janë mbështetur komunat me projekte madhore, por ka mohuar se janë përkrahur komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Prioriteti i komunës është i Ministrisë. Janë disa projekte të mëdha si në Deçan, Junik, Mamusha Podujeva…Duke mos përjashtuar asnjë kryetar komune, kam pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme, edhe kryetarët besoj se do të përgjigjen pozitivisht për këtë. S’besoj që janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga VV-ja, por si Qeveri kemi pasur mbështetje komunat me projekte madhore që janë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Damka.
Sipas ministrit të Zhvillimit Rajonal, gjatë 2023-s kanë dështuar dy projekte madhore, e kjo siç ka thënë ai, ka ndodhur në Gjakovë dhe në Gjilan “e këtu ndoshta s’ishte faji i komunave, por për shkak të procedurave burokratike ka ndodhur që të dështojë projekti në tërësi”.
“Kemi vendosur që të rrisim buxhetin për investimet kapitale për 2024-n. Rritja e buxhetit është për 1.5 milionë euro investime në 32 komuna. Këto projekte janë në investime infrastrukturore, kulturore e në aspektin e përmirësimin së zhvillimit…Fokusin e kemi pasur te komunat e vogla, kur flasim me kryetarë komunash janë të kënaqur sepse është gjendja në atë komunë”, është shprehur ai.
Për bizneset e vogla dhe startupet, ministri Damka ka thënë se do të ndahen 1.5 milionë euro, ndërsa ka potencuar se nëse kërkesat e bizneseve janë të mëdha, do të kërkohet buxhet shtesë nga Ministria e Financave.
“Bizneset i përkrahim për përmirësimin e infrastrukturës, prodhimin, eksportin ose të nisin një punë për të jetuar në Kosovë. Në 2022-n në biznese janë përfshirë 33 për qind gra, e në 2023-n 35 për qind”, ka shtuar Damka./koha.net/