Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e sheh të nevojshme që edhe njëherë të përmend qëndrimet e SHBA-së për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai, në një prononcim për media, tha se SHBA-ja beson se është një obligim që të themelohet Asociacioni, duke përmendur edhe Bashkimin Evropian e pret këtë gjë nga Qeveria e Kosovës dhe se duhet të veprohet përpara me këtë.
“Pozicioni i ShBA-së është bërë i qartë ne besojmë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, që duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk duhet të ketë një qeveri të shtresës së tretë, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, ne nuk dëshirojmë një tjetër Republika Sërpska. Ne nuk duam diçka që do ta ndikonte negativisht funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Ai ka përmendur draf-statutin për Asociacionin që është propozuar nga amerikanët dhe evropianët për Kosovën për të cilin ka thënë se është mbështetur nga të gjitha vendet mike të Kosovës.
“Unë jam pak i hutuar nga kaq shumë komente, kaq shumë kritika të kësaj përpjekjeje, ne mendojmë se fokusi duhet të jetë në atë se si Kosova mund të ecë përpara me miratimin e këtij drafti dhe kalimin në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka pyetje për kushtetutshmërinë siç e thashë edhe më parë do ta them sërish se ka vetëm një organ që është në gjendje të vendosë, ajo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duhet të lëvizim shumë shpejt përpara”.
“Të gjithë ata që kanë thënë se duhet të jenë të koordinuar me ShBA-në, Perëndimin dhe Evropën duhet të shikojnë vazhdimisht që ky draf ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe në SHBA”, ka thënë Hovenier.