Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar rezultatet e testit PISA, ka thënë se defektet strukturore në sistemin arsimor nuk mund të rregullohen përnjëherë e shpejt, defekte të cilat sipas kryeministrit, shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë.
Rezultatet e testit PISA, që u publikuan javën e kaluar, e vendosën Kosovën në vendet e fundit në renditje. Kjo nxiti reagime në opinion.
E në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se PISA po tregon se s’po shkon diçka mirë në fëmijërinë relativisht të hershme të nxënësve.
“Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, që treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë, e nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë e as shpejt. Testi PISA po tregon se në fëmijërinë relativisht të hershme diçka s’po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e të mësimnxënie. Mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë e garantojnë që nxënësit po mësojnë e dinë”, ka thënë Kurti.