Kryeministri Albin Kurti ka lëvduar qeverisjen e tij e ka kritikuar ato të kaluarat mbi korrupsionin.
Kurti ka thënë se e kanë raportuar krimin e korrupsionin që “e kanë gjetur” nga qeveritë e kaluara.
Ka shtuar se shoqërinë për vite e ka përcjellë korrupsioni, sipas tij, “si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive”.
“Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit. Oligarkët e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike: ata që kanë më shumë mall përcaktojnë drejtimin e anijes. Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se luftimi i korrupsionit ka nisur nga Qeveria e tij për nga brenda e që ta shtrijë në çdo segment tjetër.
“Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arrestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë. Jemi shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit, sipas Ëorld Justice Project. Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit”, është shprehur kryeministri.