Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të japë dorëheqje. Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim është thelluar edhe më shumë.
Ka shtuar se Qeveria “ka rënë nga provimi” në fushën e arsimit.
“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, tha ajo.
“Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA”, shtoi ai.
PDK i ka propozuar Qeverisë së Kosovës nëntë rekomandime.
“Shkollat duhet të fokusohen në forcimin e kurrikulave të tyre të matematikës, leximit dhe shkencave, duke përfshirë më shumë mundësi mësimore praktike dhe të aplikuara. Mbështetja e studentëve me arritje të ulëta: Të ketë ndërhyrje të synuara dhe mbështetje për nxënësit me arritje të ulëta, të cilat ndihmojnë në ngritjen e nivelit të performancës së tyre. Ngushtimi i hendekut te performancës: Të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të mbështetur ata me arritje të ulëta, duke ofruar gjithashtu sfida për ata me arritje të larta. MASHT duhet të zhvillojnë strategji për të mbështetur nxënësit me prejardhje të pafavorshme, duke siguruar që ata të kenë qasje në mjetet e konkretizimit dhe mbështetjen që u nevojitet për të pasur sukses”, propozoi Shala.