Kosova është kritikuar për përdorim të tepruar të forcave policore në veri të vendit në raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, të cilët kanë trajtuar përshtatjen e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e organizatës, në të cilën Kosova dorëzoi aplikacionin për anëtarësim vitin e kaluar. Aty, konstatohet se përderisa institucionet politike kanë treguar më shumë vendosmëri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ato jo gjithmonë e respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe se ka një tendencë shqetësuese për përdorimin e tepruar të forcave speciale policore në veri të Kosovës
Kosova portretizohet si vend që nuk i respekton vendimet e gjykatave e as marrëveshjet ndërkombëtare, në Raportin mbi përshtatjen e sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës. Dokumenti është përpiluar nga ekspertët e këtij institucioni, të cilët kanë qëndruar në Kosovë prej 24 deri më 27 shtator. Aty Kosovës i përshkruhen ngecjet në fushën e sundimit të rendit e ligjit, me theks zbatimi i ligjit në komunat e populluara me shumicë serbe.
Në pjesën që u referohet tensioneve në veri, të cilat kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, prej Kosovës kërkohet që të përmbahet nga veprimet policore që mund të çojnë në përplasje të mëdha. Sipas dokumentit, vetëm falë KFOR-it u bë e mundur që të shmanget përshkallëzimi më i madh i situatës.
“Në rast të protestave të dhunshme dhe të paligjshme ose bllokimit të rrugëve, autoritetet e Kosovës favorizojnë përdorimin e shpejtë dhe të fuqishëm të forcave speciale për të rivendosur rendin publik, edhe nëse ekziston një rrezik i lartë që përdorimi i forcës nga policia do të çojë në dhunë dhe gjakderdhje masive. Vetëm falë qëndrimit të fortë të KFOR-it u bë e mundur që të shmanget një përshkallëzim i madh i dhunës në rastet e fundit”, shkruan në dokument.
“S’ka vullnet për themelimin e Asociacionit”
Në pjesën që i kushtohet dialogut dokumenti përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që konstaton se për momentin nuk ka vullnet për zbatimin e tij.
“Gjykata konstatoi se kuadri ligjor i propozuar ‘nuk përmbushte plotësisht standardet kushtetuese’. Megjithatë, Gjykata në parim dhe në përgjithësi nuk e përjashtoi mundësinë e një asociacioni të tillë. Gjykata u mor me propozimet specifike të paraqitura në Parimet e Përgjithshme dhe Gjykata u shqetësua ndër të tjera nga paqartësia e termit ‘ushtrim i përgjithshëm’”, shkruan në dokument. “Gjykata vuri në dukje se Parimet në lidhje me strukturën organizative të Asociacionit/Bashkësisë ngritën shqetësime në lidhje me respektimin e diversitetit të komuniteteve rezidentë brenda komunave pjesëmarrëse dhe pasqyrimin e këtij diversiteti në personelin dhe strukturat e Asociacionit/Bashkësisë siç kërkohet nga Kushtetuta. Ky aktgjykim është përdorur nga politikanët kosovarë për të deklaruar se themelimi i një asociacioni të tillë është antikushtetues në vetvete dhe nuk është arritur marrëveshje e re për statutin e mundshëm të një asociacioni të tillë. Në momentin e vizitës sonë qeveria aktuale duket se nuk dëshiron të themelojë një asociacion të tillë”.
Sipas raportit, një interpretim i tillë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është abuziv.
“Përderisa Gjykata ishte kritike për dokumentin specifik të dorëzuar në të, ajo shprehimisht u shpreh ‘që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet siç parashihet në Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të shpallur nga presidenti i Republikës së Kosovës’”, shkruan aty.
Më tej, në raport përmendet moszbatimi i vendimit tjetër të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
“Ndërsa Gjykata luan një rol të rëndësishëm si gardian i Kushtetutës, në një rast politikisht të ndjeshëm autoritetet deri më tani nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës që daton nga viti 2016. Gjykata vendosi se 24 hektarë tokë kontestuese i takojnë Manastirit të Deçanit. Ky aktvendim u kritikua nga politikanët dhe, me gjithë thirrjet e përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar nuk u zbatua. Kjo është shkelje e qartë e shtetit ligjor. Autoritetet e Kosovës duhet të zbatojnë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit”, shkruan aty.
“Politikanët nga pozitat përkatëse ndonjëherë kritikojnë vendimet e gjykatave në çështje të ndjeshme me gjuhë të papërshtatshme dhe në një mënyrë që mund të dëmtojë pavarësinë e gjyqësorit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit jo vetëm që nuk u zbatua, por u kritikua ashpër nga bartësit e funksioneve të larta politike”.
Raporti e përmend edhe rastin kur kryeministri Albin Kurti “ishte kurioz të dinte emrin e prokurorit që kishte marrë vendim për lirimin nga burgu të një të dyshuari serb”.
Dorëheqjet e serbëve në veri
Derisa përshkruhet si problematike dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës përfshirë policinë, gjyqësorin dhe prokurorinë – në raport mirëpritet fakti se ato dorëheqje nuk i ka miratuar Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, duke ua lënë mundësinë serbëve të rikthehen në pozitat e tyre.
Raporti përmend edhe vendimet e Qeverisë së Kosovës nga gushti i vitit të kaluar lidhur me shpronësimin e tokave në veri të Kosovës, për të cilat serbët janë ankuar.
“Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, BE-në, EULEX-in dhe SHBA-në shprehën shqetësime të thella për këto vendime pasi që procedura e ndjekur nuk ishte në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës. Ndër të tjera, vendimet nuk identifikonin, siç e kërkon neni 44 i Kushtetutës, qëllimin publik apo interesin publik që i bën të nevojshme këto shpronësime. Megjithatë, duket se përgjithësisht supozohet se synimi është ndërtimi i stacioneve policore në ato prona. Kjo mënyrë e procedimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe ka gjasa të jetë e tillë që të minojnë edhe më tej besimin ndërmjet komunitetit serb dhe institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Autoritetet gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për t’ia komunikuar publikut të gjerë arsyet e shpronësimeve”, thotë raporti.
Frikësimi i dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës
Problem madhor përmendet edhe mbrojtja e dëshmitarëve në rastet e ndjeshme sikurse krimet e luftës, të cilat janë duke u trajtuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Mbrojtja e dëshmitarëve tashmë ishte identifikuar si një problem madhor për gjykimet e krimeve të luftës në Kosovë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Rezolutën 1784 (2011). Më pas, një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve u miratua në shtator 2011, por mbrojtja e dëshmitarëve është shumë e vështirë në një vend aq të vogël sa Kosova. Rastet më të ndjeshme tani trajtohen në Hagë dhe prokurorët e Kosovës që takuam gjatë vizitës nuk shprehën ndonjë shqetësim të veçantë në këtë drejtim. Megjithatë, duket domethënëse, siç theksohet nga komisionerja për të Drejtat e Njeriut në memorandumin e saj 56, se në gjykimin e Dhomave të Specializuara kishin të bënin me një rast të frikësimit të dëshmitarëve”, thotë raporti.
Sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, raporti lavdëron institucionet e Kosovës në disa prej veprimeve të ndërmarra. Aty përmendet se pozicioni i Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në “Transparency International” është përmirësuar nga vendi i 104-të në vendin e 84-të, por vlerësohet i pamjaftueshëm.
“Numri i rasteve përkatëse gjyqësore mbetet relativisht i ulët dhe rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpesh kthehen për rigjykim në Gjykatën Themelore nga Gjykata e Apelit. Hetimet e krimit të organizuar mbeten të cenueshme ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjeve të paligjshme. Ekziston një nevojë e qartë për të forcuar më tej institucionet dhe organet e ndryshme që luftojnë korrupsionin, duke përfshirë edhe burimet shtesë. Autoritetet e Kosovës duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të sigurojnë zbatimin e duhur të legjislacionit të ri në këtë fushë”, theksohet në dokument.
Më 12 maj 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në letrën e saj ministrja e jashtme Donika Gërvalla-Schwarz e pati përkufizuar Kosovën si “një vend evropian i përkushtuar fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.
Më 24 prill 2023, aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.
Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës./koha.net/