Bujar Basha, i njohur si protagonisti i arratisjeve në burgun e Dubravës, i arrestuar sot gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, si i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë ku u vodh ari në vlerë 250 mijë euro, shumë vite më parë kishte treguar se si ishte arratisur 4 herë nga burgu, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Basha kishte treguar se dy herë është arratisur nga burgu i Prizrenit, dhe dy herë nga ai i Dubravës.
Ai kishte treguar edhe me detaje arratisjen e parë nga burgu i Prizrenit, derisa kishte përshkruar se fillimisht kishte thyer dritaren brenda dhomës ku ndodhej, e nga aty kishte dalur në kulm të burgut.
E rreth asaj se si nuk e kishte vënë re roja, Basha kishte thënë se kishte shfrytëzuar dobësinë e gardianit, momentin kur ai nuk ka qenë duke shikuar në atë pjesë ku ndodhej ai.
“Gjatë kësaj kohe unë jam arratis 4 herë prej burgut. Jam arrestu, kam ik, jam arrestu, jam ik…Dy herë prej burgut të Prizrenit, dhe dy herë prej burgut të Dubravës. Herën e parë kur jam arrestuar në Prizren, pas 15 ditëve jam arratis prej burgut. E kam thy dritaren edhe përmes dritares në kulm, prapa zjarrëfiksave, edhe jam arratis. Ka pasur roje, por kjo ka qenë aftësi tash. E kam përcjell atë momentin e dobët të stafit, të gardianit kur s’ka mujt me më pa, edhe kam ikë”, kishte thënë Bujar Basha në një invervistë për “Betimi për Drejtësi”.
Bujar Basha po dyshohet se më 22 nëntor 2023 ka qenë pjesë e grupit kriminal që kryen një një plaçkitje të armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, gjatë grabitjes së armatosur ishte plagosur një polic i Kosovës në këmbë, dhe një tjetër kishte marrë lëndime të lehta.
Basha raportohet se është arrestuar sot në Prishtinë gjatë një operacionit të madh policor në lagjen “Dragodan”./Reporteri.net/