Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, janë përplasur në Komisionin për Punë të Jashtme. Shkak u bë paga prej 7500 eurove e ekspertit të jashtëm në MPJD, Gani Jakupi.
Pas paraqitjes së buxhetit për këtë Ministri për vitin 2024 nga Gërvalla, Musliu-Shoshi, pati një varg kritikash për punën e saj.
“Kemi kërcënime të vazhdueshme nga Serbia. Ju si ministre nuk vini në Komision që të na tregon se çka janë duke bërë misionet tona. Jeni një ministre që jeni nën masa të BE-së. Ne nuk kemi paguar këshilltar të jashtëm 7.500 euro, më e madhe se sa rrogat e Policisë së Kosovës”.
“Na tregon se çka jeni duke bërë me këtë buxhet. Të lutem përgjigju në një pyetje konkrete a paguhet Gani Jakupi 7.500 euro në muaj”, tha Musliu-Shoshi, raporton EO.
Ministrja Gërvalla tha se Gani Jakupi për të cilin është raportuar se ka pagë mujore 7,500 euro nuk është këshilltar i saj, por është i angazhuar në bazë të një kontrate. Madje, Gërvalla pagesën e Jakupit e ka quajtur modeste, teksa u shpreh se i vjen keq për gjithë fushatën që po bëhet ndaj tij.
“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore, është shumë modeste për gjithë lobimin që bën. Ai nuk është këshilltar imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë”, tha ajo.
Përderisa ka akuzuar Musliu-Shoshin se PDK-ja ka pasur edhe 50 fish më shtrenjtë për shërbime të njëjta.
“Sa i përket pagesë prej 7.500 euro, pikërisht partia që ju përfaqësoni ka paguar 50-fishin. Për PDK-në hezitoj që të diskutoj për financa, unë ju dëgjova sepse ju e shfrytëzoni mikrofoni vetëm për të bërë gënjeshtra. Kjo nuk është pagë, është një projekt i lidhur me objektiva të qarta”.
7 mijë e 500 euro është raportuar se është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster ky i cili udhëhiqet nga Donika Gërvalla. Në media u raportua se Jakupi jeton në Spanjë, por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, raportoi EkonomiaOnline.
“Gani Jakupi nuk i ka më shumë borxh Kosovës sesa të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk e ka borxh gjithë këtë fushatë që po bëhet kundër tij. Unë jam e lumtur që Gani Jakupi si shumë profesionistë të tjerë anembanë botës që asnjëherë nuk e kanë shkëputur lidhjen me Kosovën me gjithë suksesin e jashtëzakonshëm që kanë pasur në jetën profesionale të tyre, si Dua Lipa e Rita Ora, që nuk kanë asnjë nevojë të profilizohen nëpërmjet Republikës së Kosovës, por veç ta ndihmojnë Republikën e Kosovës që ne të gjejmë kujdesin dhe vëmendjen e merituar në botë. Prandaj, Gani Jakupi në kuadër të një kontrate që bazohet tërësisht në legjislacionin vendas e cila është një instrument i përdorur në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm në rastin e Gani Jakupit, për të arritur disa objektiva të cilat nuk mund t’i arrijmë në rrugë formale, zyrtare e diplomatike, Prandaj, Gani Jakupi ka treguar rezultate të jashtëzakonshme në këta pak muaj të angazhimit të tij për çka jam shumë mirënjohëse dhe kam një lutje për të gjithë se duhet të mendojmë që njerëzit që i sulmojmë me supozime të mos harrojmë që kanë familje dhe nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, ka thënë Gërvalla për media pas komisionit.