Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të hënën do të japë dëshmi në rastin e ish-aktivistit Astrit Dehari. Ministria ka shkruar në Facebook të dielën se do të dëshmojë në orën 10:00, e më pas Haxhiu do të mbajë konferencë për media.
“Për shkak të interesimit të madh të medieve, ju njoftojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nesër në orën 10:00, do t’i përgjigjet ftesës për të dhënë dëshminë në raport me rastin Dehari. Pas intervistës, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja Haxhiu do të mbajë Konferencë për medie. Për orën, mediet do të njoftohen nesër”, thuhet në njoftim.
Javë më parë, prokurori i rastit “Dehari”, Afrim Shefkiu ka autorizuar Policinë e Kosovës që ta intervistojë ministren Haxhiu në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit.
Sipas autorizimit thuhet se ministrja Haxhiu duhet të sqarohet lidhur me një postim më 5 nëntor në Facebook se cila kishte thënë se “provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund rastin”.
Ndërsa, avokati i familjes së ish-aktivistit, Tomë Gashi, ka kërkuar që të jetë prezent, por ka thënë se s’ka marrë përgjigje për kërkesën e tij.
“Prokurori nuk është përgjigjur, ashtu e ka stilin edhe pse e ka obligim ligjor për të lejuar pjesëmarrjen time, siç e ka lejuar kur janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë”, ka thënë ai për KOHËN të dielën.
Po, siç nuk ka lejuar që të prezantoj kur është marrë në pyetje Haki Abazi, i cili e ka huq krejt realitetin me atë që e ka folur në Parlamentar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Prokurori pa njoftim ka bërë edhe rekonstruktim të vendit të ngjarjes ku është vrarë Astrit Dehari në Burgun e Prizrenit. Dhe kështu, po e lë familjen e Astrit Deharit të painformuar se çka po vepron prokurori në hetimin e vrasjes së Astrit Deharit”, ka thënë Gashi tutje./KOHA/