Të shtunën, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pasdite u takuan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. BE-ja më pas ka konfirmuar se liderëve iu është paraqitur një draft për Asociacionin.
Pa dhënë hollësi se për çfarë saktësisht është fjala, nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se kanë bërë një “propozim modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tash presin nga palët që për këtë, por edhe për të gjitha çështjet e tjera nga obligimet e dialogut, të “veprojnë shpejt”.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se kryeministri Kurti është pajtuar që plani i ri i BE-së të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate.
“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për KOHËN.
Kurti pritet që të enjten [nesër] të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Takime të ngjashme pritet të ketë edhe për Vuçiqin.
Takimet do të zhvillohen në margjinat e një samiti të BE-së, por agjenda dhe detajet nuk janë bërë të ditura ende.
“Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk janë bërë të ditura. Kryeministrit Kurti, megjithatë shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtjesore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”, thuhet tutje në përgjigjen e Qeverisë.