Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se në mbledhjen e ministrave të mbrojtjes të shteteve të NATO-s ndër të tjera është biseduar edhe për tensionet në Kosovë.
Stoltenberg në konferencë për media pas mbledhjes, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të frenohen nga “veprimet destabilizuese” e t’i rikthehen dialogut. Ai ka thënë se trupat e KFOR-it po patrullojnë më tepër në veri pas tensioneve të fundit.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit në një sulm terrorist u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Në reagim ndaj tensioneve të fundit në Kosovë, NATO ka shtuar qindra forca shtesë në operacionin tonë në javën e fundit. Jemi duke kryer më tepër patrullime në veri të Kosovës. Këto janë hapa të matur për t’u përkujdesur që KFOR-i ka kapacitet e nevojshme për të përmbushur mandatin. Beogradi e Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi, të përmbahen nga veprimet destabilizuese dhe të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme në Kosovë”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg ndërkohë i pyetur se sa do të zgjasë mandati i KFOR-it në Kosovë, ai ka thënë se misioni ka mandat të qartë nga OKB-ja dhe se nuk ka indikacione se do të ndryshojë.
“NATO ka përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti dhe e merr seriozisht këtë. Kemi rritur prezencën tonë me disa qindra trupa në Kosovë, me batalione të reja nga Rumania, Bullgaria e po ashtu nga Britania e Madhe”, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka thënë se ndër temat kryesore të biseduara në takim ka qenë edhe tensionet në Kosovë.
“Ka situatë të vështirë e të tensionuar, e kemi përcjellë me kujdes. E kemi rritur prezencën, veçanërisht në veri. Mesazhi kryesor për Prishtinën e Beogradin nga ky takim është që të ferenohen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më tepër situatën e të tensionojnë atë. Të frenohen nga retorikat, e të angazhohen në dialog. Është një nga mesazhet e rëndësishme nga takimi sot, që në Kosovë të shohin se NATO-ja e BE-ja punojnë ngushtë. Prezenca ushtarake e NATO-s në Kosovë, përkrah angazhimin diplomatik të BE-së. Sot ishte në takim edhe BE-ja, është mirë të shohim se në situatë të vështira sfiduese në Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë, ne dhe BE-ja punojmë ngushtë. E bëjmë këtë një kohë të gjatë”, ka thënë Stoltenberg.