Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se Qeveria e ka bërë të qartë se mbulimi i shpenzimeve për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore nuk do të vazhdojë.
Në një konferencë për media Rizvanolli ka thënë se që prej vitit të kaluar kur i është dhënë fund mbulimit të shpenzimeve, Qeveria s’ka ndarë më mjete.
“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, kemi thënë se pagesat e fundit me buxhetin e Kosovës do jenë ato deri me afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa nga KOSTT-i që nga ajo kohë, por nuk kemi ndarë mjete shtesë. Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët që një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj. Ne i kemi kryer detyrat tona në afatet e duhura, nga ana tjetër ka pasur sabotim”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka shtuar se Kosova nuk pranon kompromise shtesë në marrëveshjen që është arritur për energjinë në veri.
“Me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, por pa bërë kompromise shtesë të marrëveshjes dhe e kemi bërë të qartë që versioni i fundit i kontratës që i është dërguar Elektroserverit është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet nënshkruhet nga ta. Dje KEDS-i i ka kërkuar kërkesën e fundit Elektroseverit. Presim që të ndodhë kjo shumë shpejt nëse jo do të shohim opsionet e tjera se si të adresohet”.
Qytetarët e komunave veriore që kryesisht janë serbë, nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Për këtë çështje Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 dhe kërkohet përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës, “Elektroserver”, pronare e së cilës është Serbia.