Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ka rrezik që pas sulmit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit, konflikti të përhapet dhe të shkaktohet një luftë e re në Ballkan.
Në një intervistë për DW, Konjufca ka thënë se kjo po ndodh për shkak që Serbia po sulmon.
“Rreziku është gjithmonë aty, por duhet ta kuptoni pse. Nuk është për shkak që ne po mbrohemi, por për shkak që Serbia po sulmon”, është shprehur Konjufca, duke shtuar se sulmi i 24 shtatorit ishte sulm terrorist dhe akt agresioni i shtetit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës.
Sipas tij pas 24 shtatorit, edhe faktori ndërkombëtar po bindet që potenciali më i rrezikshëm i destabilizimit të krejt Ballkanit dhe Kosovës është Serbia.
“Sepse, e para ajo strehon grupe terroriste brenda, e dyta ka një lidhje të qartë të mbështetjes nga ushtria e Serbisë të këtij grupi, trajnimet, poligonet ku kanë ushtruar, bazat ushtarake, të cilat i kanë përdorur, armatimi, të cilin e kanë përdorur, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me shtetin e Serbisë. Pra, instanca të caktuara të shtetit të Serbisë, bile unë supozoj deri edhe te presidenti, duhet ta kenë ditur për këtë sulm ndaj Kosovës”, është shprehur Konjufca.
Sipas tij pas kësaj Serbia duhet të sanksionohet.
“Kjo duhet të ndodhë patjetër. Në kuptimin e sigurisë Serbia duhet të vendoset në karantinë, pa e vendosur Serbinë në karantinë në kuptim ndërkombëtar, gjithmonë prej aty do të burojnë forca destabilzuese drejt Kosovës, drejt Bosnjës, edhe drejt Malit të Zi, bile. Këto tri shtete janë në shënjestër të Serbisë. Serbia ka nevojë për një protektorat ndërkombëtar. Ushtria e Serbisë, inteligjenca e Serbisë, ministria e Mbrojtjes, ministria e Punëve të brendshme të Serbisë duhet të monitorohen nga vendet e BE-së, sepse këto institucione dalin në shtete të tjera e vrasin njerëz, siç na ndodhi neve me sulmin e 24 shtatorit”, është shprehur Konjufca.
Ai ka folur edhe për kërkesat e ndërkombëtarëve për vazhdim të procesit të dialogut. “Nëse do ta thërrasin Vuçiqin në Bruksel me kryeministrin Kurti sa për ta bërë një fotografi, kjo, për besë, duket shumë e panevojshme në këto momente. Krejt çka është duke menduar Kosova tash është një gjë, që ta shumëfishojë forcimin e policisë dhe të institucioneve të sigurisë në atë pjesë të Kosovës. që ne ta evitojmë një sulm të ardhshëm që vjen nga Serbia. Kjo është ajo për të cilën ne po mendojmë tash për tash. E dialogut politik mendoj që do t’i vijë koha herëdokur”, ka deklaruar Konjufca.