Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, e planifikuar për më 15 tetor, është shtyrë zyrtarisht nga UEFA, ka konfirmuar Federata e Futbollit të Kosovës të enjten.
Ndeshja, e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, u shty për shkak të luftës që ka shpërthyer në Izrael e që deri tash ka lënë mijëra viktima.
“Autoritetet izraelite aktualisht nuk e lejojnë kombëtaren e tyre të udhëtojë jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
UEFA ka shtyrë për 15 nëntor edhe ndeshjen Izrael – Zvicër.
Për datën e ndeshjes së Kosovës me Izraelin, sipas FFK-së, UEFA do të njoftojë së shpejti.
Kosova ka katër pikë në Grupin I, ndërsa Izraeli 11 pikë dhe ka gjasa për të siguruar një nga dy vendet e para. Para Izraelit janë Rumania dhe Zvicra me një, përkatësisht dy pikë më shumë.