Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të mërkurën janë arrestuar 5 persona të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, nga neni 277 i Kodit Penal të Kosovës, lidhur me veprat penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “kontrabandimi me migrantë”.
Sipas njoftimit të përbashkët për media të Prokurorisë themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës së Jugut, dhe ka përfshirë pesë lokacione të ndryshme.
“Gjatë realizimit të operacionit policor janë arrestuar të dyshuarit me iniciale si në vijim: K. K., viti i lindjes 1965, m/kosovar, G. T., viti i lindjes 1969, m/shqiptar/Shqipëri, E. A., viti i lindjes 1970 m/kosovar, H. H., viti i lindjes 1978, m/kosovar, E. R., viti i lindjes 1992, m/kosovar”, thuhet në njoftim.
Në këtë aksion ndër të tjera janë konfiskuar 21 pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane. “Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: (21) pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane, (5) leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme, Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve, (4) telefona mobilë, (1860) euro (48700) lekë, (10) funta, (395) lira turke, (1) veturë me targa të Kosovës, (1) veturë me targa të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë (5) të dyshuarit e arrestuar thuhet se janë dërguar në mbajtje, “si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.