Në më shumë se tri dekada në politikë, Benjamin Netanyahu ka marrë nofka të ndryshme sa herë që ka fituar zgjedhjet. Njihet si “Magjistari” për aftësinë e çuditshme për të rrëmbyer fitoret nga disavantazhi i thellë. “Mbreti Bibi” është nofka e tij për qëndrimin në krye të politikës izraelite më gjatë se kushdo tjetër. Dhe në përgjithësi, ka edhe një nofkë “më të ëmbël”: “Bibi”. Ka edhe një tjetër me të cilën me siguri ai ndihet edhe më krenar, por që tash po i shembet: “Zotëri Siguria”.
Mbetet e paqartë se si më shumë se 1000 militantë të Hamasit arritën të zënë thellë në befasi Izraelin duke vrarë – siç ka thënë presidenti Isaac Herzog – më së shumti hebre në një ditë që nga Holokausti.
Tani për tani, kundërshtarët e Netanyahut nuk po i bëjnë thirrje të dorëhiqet. “Nuk po merrem me atë se kush duhet të fajësohet ose pse jemi zënë në befasi”, ka thënë ish-kryeministri Yair Lapid, tani lider i opozitës. “Nuk është koha, s’është vendi”.
Por kjo kohë dhe ky vend tashmë kanë arritur, ka shkruar CNN.
Sipas Amit Segalit, analist politik për “Channel 12” në Izrael, do të ishte befasi nëse “Bibi” tejkalon këtë luftë si kryeministër. “Do të ishte precedent kombëtar”, ka thënë ai për CNN. “Historia e Izraelit na ka mësuar se çdo befasi dhe krizë kanë çuar në rrëzim të Qeverisë. Ky ishte rasti më 1973 (pas luftës) me Golda Meirin, më 1982 me Menachem Begin në luftën e parë me Libanin dhe më 2006 me Ehud Olmertin në luftën e dytë me Libanin. Koha po mbaron”.
Historia sigurisht që ofron krahasim të dobishëm: Herën e fundit kur inteligjenca izraelite dështoi në shkallë të tillë – dhe me kaq shumë fatalitete – ishte gati 50 vjet më parë, kur Egjipti dhe Siria pushtuan Izraelin.
Atë kohë ishte luftë që “pati njëfarë logjike normash dhe rregullash”, ka thënë Yohanan Plesner, president i Institutit Demokratik të Izraelit. “Kemi negociuar për paqe me presidentin e Egjiptit, Sadat, pas disa vitesh, me përkrahjen e Knessetit. Nuk do të negociojmë me Hamasin për paqe. Është krejt tjetër”.
Megjithatë, negociatat – me shumë gjasë përmes ndërmjetësve, si Egjipti – janë të pashmangshme. Edhe pse Izraeli po e fundos Gazën me sulme raketore, duke paralajmëruar ndërhyrje të plotë për ta shkatërruar Hamasin, Netanyahut i duhet të gjejë një rrugë për t’i liruar qindra pengjet që po mbahen nga militantët brenda Gazës.
Ky do të ishte hap i madh për lidershipin e Netanyahut. Por pas 10 muajsh protestash kundër vendimeve të tij për çështjet gjyqësore, rastin e korrupsionit – në opinion është një “Bibi” i dobësuar dhe jo ai i vjetri.
Ngushëllimi për të mund të jetë se Hamasi ka arritur ta ribashkojë Izraelin. “Gjëja e fundit për të cilën izraelitët mendojnë tani është karriera politike e Netanyahut”, ka thënë Plesneri, që shërben edhe si rezervist në forcat speciale të Izraelit.
“Bibi” disa herë është “shuar” – para se të kthehej në stilin e “Terminatorit” për t’i mposhtur kundërshtarët. Këtë herë, megjithatë, gjithçka duket ndryshe. Ai është shtyrë në një luftë në një kohë kur vëmendja ka qenë diku tjetër.
Fokusi në çështjet gjyqësore “nuk ka ndihmuar”, ka thënë Segali. Por ky sulm nga Hamasi, sipas tij, ka gjasa të ketë qenë i planifikuar prej 12-18 muajsh, kur Netanyahu ishte në opozitë. Llogaritja e gabuar, sipas tij, është se u konsiderua që Hamasi ishte më dobët, në një situatë pas koncesioneve ekonomike dhe zbutjes së bllokadës së Izraelit ndaj Gazës. “Në fund të fundit, është regjimi nazist që kërkon të na shkatërrojë të gjithëve. Dhe nuk mund të jetoni me një përbindësh në oborr”, ka thënë ai.
Nëse Netanyahu dhe Forcat e Mbrojtjes janë në gjendje ta zhdukin përbindëshin në oborr, do të shihet në ditët dhe javët në vijim. Ai mund të ketë sukses në formimin e qeverisë “emergjente” të unitetit kombëtar, që do ta “kursente” nga thirrjet për dorëheqje. Në afat të shkurtër, kjo do t’i “zbuste” ato që Lapidi i përshkruan si “elementet më ekstreme dhe jofunksionale” në koalicionin e Netanyahut. Por edhe nëse kjo arrihet, idetë padyshim që do të mbesin gjallë.
Tronditja dhe zemërimi i izraelitëve pas sulmeve të Hamasit, kanë qenë në atë nivel që mund të jenë të hapur për ide ekstreme. “Një pjesë e caktuar e popullatës pret përgjigje shumë, shumë të ashpër”, ka thënë Plesneri duke shtuar se është çështje: “Ne ose ata”. Dhe këtë “Zotëri Siguria”, mund të dështojë që ta arrijë.