Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka deklaruar se duhet sqaruar sulmi i 24 shtatorit në Banjskë në veri të Kosovës dhe sipas saj duhet të bëhet deskalimi i situatës.
“Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, si dhe për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha Konrad për “Blicin” serb.
Sipas saj, është e rëndësishme të krijohen parakushtet për rinovimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjet e këtij viti nga Brukseli dhe Ohri.
Ajo po ashtu theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë serbë në institucionet e Kosovës.
Në agresionin e Serbisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.