Sot, përmes konferencës zyrtare nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier dhe kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me drona për Policinë e Kosovës dhe IPK-në, projekt/donacion i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Për rolin dhe qëllimin e projektit foli drejtori Hoxha, i cili ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Amerikane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale dhe logjistike. Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime.
Ndërsa kryeshefi i IPK-së theksoi pëkushtimin e IPK-së dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e lartë të Policisë dhe partnerëve amerikanë për të mbajtur lart standardet profesionale dhe integritetin e zyrtarëve policorë. Donacioni do të shërbejë për të forcuar kapacitetet tona profesionale, në mënyrë që qyetarëve t’ju ofrohet siguri në mënyrë efikase, të përgjegjegjshme e demokratike.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.