Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot gjatë paradites Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-s, Tomáš Szunyog.
Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorët e këtij sulmi, procesi i Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit, ishin temat kyçe të bisedës në takimin e sotëm.
Ambasadori Szunyog i shprehu edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.
Ambasadori, më tej, e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor.