Pika kufitare në Bërnjak është hapur për qarkullim nga mëngjesi i sotëm.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se kjo pikë është hapur për qarkullim që nga ora 08:00.
Në anën tjetër pika kufitare në Jarinjë vazhdon të jetë e bllokuar.
Këto dy pika kufitare u mbyllën për qarkullim pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.
Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.