Një autoservis është përfshirë nga zjarri sot në fshatin Duhël të Suharekës, ku për pasojë janë djegur disa vetura.
Këtë për klankosova.tv, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Rreth orës 14:45, policia është njoftuar se një zjarr i madh është ndezur në afërsi të fshatit Duhël të Suharekës. Në këtë rast zjarri ka përfshirë një autoservis, ku janë djegur disa vetura dhe demi material është i madh”, ka thënë Bytyqi.
Tutje ai ka treguar se zjarrfikësit e Suharekës janë ndihmuar edhe nga kolegët e tyre të Mamushës dhe të Prizrenit.
“Zjarrfikësve të Suharekës iu kanë dalë në ndihmë edhe ata nga Mamusha e Prizreni. Deri më tani nuk ka të lënduar, vetëm dëme të mëdha materiale. Dy qytetarë dhe një zjarrfikës kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të tymit”, shtoi ai.
E lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Ai tha se kanë pak zjarrfikës e shumë nevoja.
“Kemi pak zjarrfikës e shumë nevoja. Të gjitha institucioneve përkatëse, lutje në emër të qytetarëve, ta keni parasysh. Ky rast në Duhël ishte me shumë rrezik, por shpëtuam duke pasur vetëm dëme materiale”, theksoi Muharremaj.