I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.”, tha Escobar.
“Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, është shprehur Escobari për Radio Evropa e Lirë.