Fushata “E du Prizrenin” nëpërmjet një platforme informuese digjitale për turistët promovon asetet historike e kulturore. Përderisa udhëheqësit komunalë po kërkojnë përfshirjen e komunitetit dhe vizitorëve në këtë nismë, opozitarët kanë bërë thirrje për kujdes më të madh të Komunës ndaj monumenteve. Aktivistët e shoqërisë civile mirëpresin nisma të tilla me përkujtimin që organet shtetërore të angazhohen edhe për zbatimin e obligimeve që dalin nga legjislacioni.
“E du Prizrenin”, është motoja fushatës e cila ka për synim ta fuqizojë kryeqytetin historik të Kosovës. Komuna e Prizrenit me mbështetjen nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë prej disa javësh e ka nisur atë dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër është në fokus. “E du Prizrenin” nëpërmjet një platforme informuese digjitale për turistët promovon asetet historike e kulturore. Përderisa udhëheqësit komunalë po kërkojnë përfshirjen e komunitetit dhe vizitorëve në këtë nismë, opozitarët kanë bërë thirrje për kujdes më të madh të Komunës ndaj monumenteve. Ndërkaq aktivistët e shoqërisë civile mirëpresin nisma të tilla me përkujtimin që organet shtetërore të angazhohen edhe për zbatimin e obligimeve që dalin nga legjislacioni, por edhe nga dokumentet strategjike.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në adresimet e tij ka vlerësuar se qyteti i vjetër është i zhytur në histori, art dhe tradita, të cilat duhet të prezantohen edhe para vizitorëve e turistëve të huaj.
“Thirrja ime është që të gjithë të bashkohen me ne për ta promovuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe potencialin e tanishëm të zhvillimit të këtij qyteti që bashkëjeton me të kaluarën dhe të ardhmen! ‘E du Prizrenin’ është slogani i kësaj fushate që si qëllim ka promovimin e qytetit tonë në sytë e vizitorëve dhe që mbështetet nga Komuna e Prizrenit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP)”, ka thënë Totaj. Ai ka kërkuar nga qytetarët që ky informacion të ndahet me turistët, por edhe të shpërndahet në rrjetet sociale, me qëllim që me veprim të përbashkët të prezantohet trashëgimia e jashtëzakonshme e Prizrenit.
Gjatë një takimi të zhvilluar javën e shkuar me përfaqësuesin e ri rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, Totaj ka biseduar lidhur me zbatimin e fushatës me qëllim të shpalosjes së vlerave të qytetit para turistëve. Sipas njoftimit të UNDP-së, në rrjetet sociale në takim është diskutuar për trashëgiminë e pasur kulturore të Prizrenit bashkë me fushatën e komunikimit që ka për synim rritjen e ndërgjegjësimit për bukurinë e Prizrenit, ku monumentet e trashëgimisë kulturore promovohen nëpërmjet platformës digjitale dhe fuqisë së mediave sociale.
Në uebfaqen e fushatës theksohet se kjo nismë “synon të rrisë promovimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe përfshirjen më të madhe të turistëve përmes përmbajtjeve kreative dhe hashtagut të kampanjës në mediat sociale”.
“Koncepti sillet rreth përdorimit të mediave sociale, informacionit digjital të bazuar në QR Code dhe përvojave gjithëpërfshirëse për të inkurajuar vizitorët të marrin pjesë aktive në fushatë gjatë muajve të ardhshëm”, shkruan aty.
Në mesin e aktiviteteve kryesore krahas krijimit të ueb-faqes janë listuar përzgjedhja e 15 vendeve historike që do të përfshihen në informacionin digjital të bazuar në QR Code, ku përmes skenimit të thjeshtë vizitorët do të lidhen në faqen online për të mësuar më shumë për monumentin historik. Pastaj fushata me hashtagun #edupz do të zhvillohet për të rritur angazhimin e vizitorëve, të cilëve u kërkohet që të postojnë foto nga ai lokacion historik me këtë hashtag dhe automatikisht do të bëhen pjesë e një loje shpërblyese në fund të kampanjës. Një aspekt i rëndësishëm është edhe përfshirja e akterëve të tjerë të qytetit në promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, ndërkohë që në fund të fushatës një ekip do të përzgjedhë fotot më të mira të postuara në rrjetet sociale nga vizitorët.
Duke marrë shkas nga disa zhvillime të fundit në Qendrën Historike të Prizrenit, anëtarja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, ka reaguar në rrjetet sociale duke kërkuar që organet komunale të respektojnë legjislacionin për Qendrën Historike, sikurse edhe angazhim më serioz për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Trashëgimia kulturore ka nevojë për veprime konkrete e jo për dashuri të rrejshme”, është shprehur Alishani, teksa ka vlerësuar se nuk ka pasur veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e mirëmbajtjen e trashëgimisë në Prizren nga qeveria lokale.
Eroll Shabani nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka theksuar se çdo iniciativë për promovimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit është e mirëseardhur, pasi prezantimi i këtyre vlerave krijon mundësi më të mëdha për zhvillim të qëndrueshëm të rajonit të Prizrenit.
“Paralelisht me promovimin, duhet shtuar edhe kujdesin për asetet e trashëgimisë kulturore dhe në këtë aspekt duhet pasur një koordinim të shtuar me organet e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu nevojitet edhe zbatimi i Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, si dhe atë të Kalasë, për të cilat konsiderojmë se nevojitet një bashkëpunim më i thellë i institucioneve lokale dhe qendrore”, ka thënë Shabani.
Sipas legjislacionit në fuqi, Prizreni është kryeqyteti historik i Republikës së Kosovës./koha.net/