Kryeministri, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim më ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Sipas një njoftimi të Kryeministrisë në këtë takim është diskutuar edhe për takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pritet të zhvillohet nesër.
“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe për takimin e nesërm të nivelit të lartë në Bruksel, pritjet nga ai takim dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë, të shpejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Guerot thuhet se ka uruar kryeministrin për kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ka ofruar ndihmën dhe përvojën e Francës nga organizimi i këtyre lojërave në vitin 1993.
“Kryeministri e mirëpriti gatishmërinë e Francës për mbështetje dhe tha që ne synojmë të mësojmë nga Franca dhe të bashkëpunojmë për organizim sa më të mirë”, thuhet në njoftim./KOHA/