Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në Shqipëri për një vizitë zyrtare dyditore.
Vizita është bërë me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, është njoftuar nga Presidenca.
Gjatë vizitës Osmani pritet të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryekuvendaren Lindita Nikolla.
Gjatë vizitës Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës shkrimtarit me renome botërore Ismail Kadare.
“Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera. Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare. Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri. Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit”, është njoftuar nga Presidenca./KOHA/