Reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj paralajmërimeve për rishqyrtim të politikave për vizat po shihet si jo i duhur dhe aspak diplomatik ndaj aleatëve ndërkombëtarë.
Sipas komentuesve politikë, kërcënimi me heqje dorë nga dialogu me Serbinë nëse pezullohet vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, nuk është zgjidhja e duhur, pasi Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut.
Analisti politik, Arton Demhasaj, ka thënë se pavarësisht paralajmërimit të presidentit francez, Emmanuel Macron për rishikim të vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën, nëse nuk sillet me përgjegjësi në dialog, e para e vendit, Vjosa Osmani është dashur të jetë më e matur në deklarimin e saj.
Sipas tij, Osmani duhet të jetë më e përgjegjshme në raport me ndërkombëtarët, pasi Kosova s’është vend faktor i rëndësishëm që të kërcënojë Francën apo Bashkimin Evropian.
“Nuk mendoj se është mënyra e duhur, pasi Kosova nuk është ndonjë vend i fortë as strategjikisht, ekonomikisht apo ushtarakisht që të mbërrijë me kërcënu një shtet siç është Franca, i cili është një prej vendeve kryesor evropian. Nuk është gjuhë diplomatike që presidentja duhet me përdorë ndaj presidentit Macron apo Bashkimit Evropian. Mirëpo është e vërtet se nëse Bashkimi Evropian merr vendim dhe shfuqizon vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, do ta dëmtonte dialogun. Por nuk mendoj se do të shkojë deri tek ajo pikë”, tha ai.
Në anën tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu kërkon që krerët institucionalë të jenë më të kujdesshëm në deklarimet e tyre ndaj aleatëve ndërkombëtarë.
Megjithatë, Baraliu thotë se deklarata e Macron tingëllonte më shumë si ultimative ndaj Kosovës dhe Serbisë për progres në dialog.
Sipas tij, dy palët duhet t’i marrin seriozisht të njëjtat dhe të zbatojnë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe të Ohrit.
“Ishte diçka që më tepër tingëllonte si ultimative sesa që ishte një deklarim i thjeshtë. Mbase Bashkimi Evropian duhet t’i ketë parë pasojat e politikave të tij të gabuara, të pasuksesshme dhe pa efekte deri tani. Andaj mbase do të duhej të ketë politika më shtrënguese, sidomos ndaj Serbisë. Pasi tani për herë të parë Serbia përmendet si faktor që mund të sanksionohet ashtu siç është sanksionuar Kosova. Mbase BE-ja ka indikacione që duke mos udhëhequr politika të drejta por të gabuara, duke qenë asimetrik në sjellje dhe priviligjues ndaj Serbisë nuk është rruga e duhur”, deklaron Baraliu.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një deklarim para ambasadorëve francez më 28 gusht, ka thënë se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi në dialog.
Ndaj tij ditë më parë reagoi presidentja Vjosa Osmani, e cila se një veprim i tillë do ta vriste dialogun Kosovë-Serbi./ksp