Vetëm gjatë muajit qershor, shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave janë para të mërgatës, bëri të ditur Banka Qendrore. Sipas statistikave të BQK-së, në gjysmën e parë të vitit, vlera e remitencave ka arritur në 635 milionë euro. Ekonomistët thonë se ky kontribut, që deri në fund të vitit pritet të dyfishohet, ndikon në rritjen e vazhdueshme ekonomike të Kosovës.
Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar të shtunën të dhënat, sipas të cilave, mërgimtarët kanë shpenzuar për rreth 15 për qind më shumë në Kosovë, krahasuar me vitin e shkuar.
Sipas këtyre statistikave, vetëm gjatë muajit qershor shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, e pjesa më e madhe e të cilave janë para të mërgatës.
“Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë”, thuhet në të dhënat e publikuara nga BQK-ja.
BQK-ja ka treguar se remitencat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në qershor 2023 ka shënuar 635.1 milionë euro, e që paraqet rritje prej 14 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.
Ekonomisti Visar Vokrri, i cili është drejtori i programeve në institutin Riinvest, thotë se kontributi i diasporës përmes remitencave dhe shpenzimeve që bëjnë në Kosovë, ka ndikuar që të ketë rritje të vazhdueshme ekonomike. Ai pret që totali i vlerës së remitencave këtë vit të jetë rreth 1.2 miliard euro.
“Unë besoj që kjo rritje e vazhdueshme vjen për dy arsye. E para, besoj që shpërndarja gjeografike apo koncentrimi gjeografik i diasporës sonë, që siç e dimë është në vendet gjermano folëse, është kontributi i tyre të jetë vazhdimisht në rritje, për shkak se këto vende janë, performojnë mirë në aspektin ekonomik dhe janë vende të zhvilluara”, ka thënë Vokrri.
Sipas tij, diaspora shpenzon më së shumti nëpërmjet investimeve në patundshmëri. Por, numëron edhe sektorë të tjerë.
“Sektorët që më së shumti përfitojnë nga investimet e diasporës në Kosovë janë kryesisht sektorët e patregtueshëm, po flasim këtu për shërbimet që ata i konsumojnë këtu, qoftë hoteleria, gastronomia, pastaj po vërehet kohëve të fundit edhe një lloj rritje e shërbimeve le të themi mjekësore që ata i konsumojnë këtu, apo edhe transporti”, ka theksuar Vokrri.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë, shifër që nuk është përditësuar.
Bashkë me të dhënat për të hyrat nga diaspora, BQK-ja ka publikuar edhe bilancin e gjerë të pagesave deri në fund të qershorit 2023, për të cilin ka theksuar se është karakterizuar nga një deficit i llogarisë rrjedhëse, i cili ka shënuar një vlerë prej 502.7 milionë euro e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar është më i ulët për 19 për qind.
Në të theksohet se bilanci tregtar në mallra kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
E, të ardhurat parësore deri në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 45.9 milionë euro, i cili krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2022-s, është më i ulët për rreth 48 për qind./koha.net/