Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar në dialog me Serbinë. Pak ditë pas konfirmimit të takimit të radhës Kurti-Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel, Tahiri thotë se politika e deritanishme e Kurtit e ka kthyer Kosovën në një humbëse në këtë proces dhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Tahiri është skeptik se do të ketë rezultate pozitive nga ky takim.
“Qasja e deritanishme e qeverisë Kurti në dialog e ka kthyer Kosovën në humbëse dhe ka dobësuar vendin tonë në rrafshin ndërkombëtar por edhe të brendshëm. Në vend që Serbia që është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur masa Rusisë të sanksionohet, sot e sanksionuar është Kosova për shkak të një politike qorre, jo strategjike dhe kryesisht taktike për interesa të ngushta votuese të Lëvizjes Vetëvendosje e ka sjell Kosovën në humbëse… Kosova sot është më dobët në rrafshin ndërkombëtar. Është më e dobët në sovranitetin e vendit të vet, në rrafshin e brendshëm dhe Kosova është më e dobët në vendimmarrjen e saj. Secili vendim që është marrë prej 31 korrikut të vitit të kaluar, tablat, gjobat të gjitha janë kthyer prapa”, thotë Tahiri.
Ai konsideron si të gabuar edhe insistimin e Qeverisë së Kosovës që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në veri vetëm përmes peticionit. Sipas tij, i njëjti ka disa problematika që mund të jenë në dëm të Kosovës në të ardhmen.
Tahiri kritikon edhe presidenten Vjosa Osmani, e cila sipas tij, bëri një deklaratë joserioze duke iu kundërpërgjigjur presidentit francez, Emmanuel Macron për çështjen e vizave.
“Deklarata e presidentit Macron është problematike. Pse duhet ai në një fjalim të tij me trajtu Kosovën e cila e ka rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit pro evropian. Ne jemi mbështetës të kauzave evropiane me një kushtetutë që i jep diskriminim pozitiv pakicave dhe një shoqëri multietnike. Pse duhet të na përmend neve ai. Në anën tjetër cili është reagimi jonë, ai është se kjo qasje e vranë dialogun. Cila është alternativa e dialogut? Kjo do të ishte pyetja ime për presidenten. Lufta? Pasi ti ose flet ose lufton. A jeni duke parë sa janë joserioz në këtë qasje”, thekson Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së, pranon se kanë ngecur sa i përket mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, për shkak të dy partive të tjera opozitare, PDK dhe LDK, për të cilat thotë se nuk janë të interesuara për t’i dhënë nënshkrimet.
“Me thënë drejtpërdrejtë interesi i dy partive opozitare (PDK dhe LDK) nuk ka qenë me nënshkruar mocionin. Ato janë parti në veti dhe ne jemi parti të ndara. Ka qenë interesimi që me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme por jo me peticion. Tash në këtë temë në zgjedhje shkohet në dy forma. Njëra është kur jep dorëheqje kryeministri, tjetra është kur bëhen votat dhe me mocion shkohet në zgjedhje”, thotë Tahiri.
Ai është i bindur se kurdo që do të mbahen zgjedhjet, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje s’do t’i merr më kurrë 50 për qind të votave.
“Në Vetëvendosje janë duke menduar që Albini iu fiton prapë votat me i marrë 50 për qind. Ndoshta na befason edhe neve opozitën, por të dhënat, sondazhet, informatat prej tereni, tregojnë një pakënaqësi serioze me këtë qeveri. Si do të jetë qasja jonë sa do të mundemi të mobilizojmë nuk e di, por një e di që kurrë më në jetë 50 për qind. Asnjëherë, një herë i ka marrë duke thënë këta janë garda e vjetër duhet me shku në shtëpi por më nuk ndodh kurrë. Njerëzit kanë me lyp rezultate, të cilat nuk i ka kjo qeveri”, përfundon ai./ KosovaPress