Reagimi i BSPK-së ka ardhur pas ngjarjes së rëndë në Prizren të premten, ku një 30-vjeçar vdiq në vendin e tij të punës. Ai punonte në një firmë të ndërtimtarisë.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në një postim në Facebook ka bërë thirrje që të hetohet rasti, ndërsa autoriteteve u ka kërkuar që urgjentisht të marrin masa e të rritet siguria në vende të punës.
Një person është dërguar në mbajtje për rastin që ndodhi në Prizren.
“Me një zemër të rënduar dhe me dhimbje të thellë dëgjuam lajmin e trishtë të humbjes tragjike të jetës në vendin e punës të punëtorit Shpejtim Gashi. Kjo ngjarje e tmerrshme na ka tronditur thellësisht. Humbja e tij tragjike është një dhimbje e padurueshme për ne të gjithë, dhe kujton vështirësinë e punës së punëtorëve tanë dhe nevojën e një mjedisi të sigurt të punës. Sot, ne nuk mund t’i shpëtojmë dhimbjes dhe hidhërimit që na ka mbërthyer, por ne mund të përpiqemi të nderojmë kujtimin e tij duke ndërmarrë hapa të nevojshëm për të siguruar që tragjedia që ndodhi të mos përsëritet për asnjë punëtor tjetër në vendin tonë. Ndërsa përballemi me këtë moment të rëndë, të gjithë ne duhet të vendosim theksin mbi sigurinë në vendin e punës duke kërkuar që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar ngjarje të tilla tragjike në të ardhmen. Kërkojmë nga punëdhënësit, autoritetet kompetente dhe shoqëria të bashkohen me ne në një përpjekje të përbashkët për të siguruar që vendet e punës të jenë të sigurta për të gjithë punëtorët tanë”, është thënë në reagimin e Hykollit. “Në këtë moment të trishtë e në kujtim të punëtorit Shpejtim Gashi, ne, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kërkojmë një hetim të hollësishëm mbi ngjarjen që ka ndodhur dhe kërkojmë përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit që mund të ketë ndodhur. Kjo është e detyrueshme për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e të gjithë punëtorëve tanë”.
Kreu i BSPK-së ka kërkuar nga Qeveria që të ndërhyjë menjëherë për ta adresuar çështjen e sigurisë në vend të punës.
“Po ashtu duam t’ia përkujtojmë partnerit tonë social – Qeverisë që është detyrimi i saj kushtetues të mbroj jetën dhe të drejtat e qytetarëve tanë, përfshirë këtu edhe punëtorët. Kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për të adresuar çështjet e sigurisë në vendet e punës dhe për të siguruar se punëtorët kanë mundësi të sigurojnë një jetë të denjë dhe të sigurt për familjet e tyre. Familja e punëtorit të humbur dhe miqtë e tij janë në mendjet dhe zemrat tona në këtë moment të vështirë. Ne përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe mbështetjen tonë më të madhe për ta. Ndihma dhe solidariteti ynë për ta do të jetë konstant. Në emër të të gjithë sindikalistëve shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe respektin ndaj Shpejtimit”, është thënë nga Hykolli./KOHA/