Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar rritje të vigjilencës sa i përket kontrollit të ujit të pijes dhe të klorizimit të tij, e po ashtu kontroll të shtuar dhe klorizim të ujit të pishinave.
MSH-ja ka thënë se bazuar në raportin e SHSKUK-së, është shënuar rritje e numrit të rasteve me meningjit gjatë periudhës korrik-gusht, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
MSH-ja ka thënë se rrugë e përhapjes së infeksioneve mund të jenë pishinat, vendet e freskimit e kontakti dhe uji për pije.
“Ministria e Shëndetësisë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme, bazuar në raportin e IKSHPK, kërkon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave. Bazuar në raportin e ShSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje. Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”, thuhet nga MSH-ja. “Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije”.
Sipas MSH-së simptomat janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Përfshihen të vjellat, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje të muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje të kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta dhe skuqje të lëkurës.
“Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit. Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi. Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku. Meningjiti trajtohet vetëm në spital”, thuhet nga MSH-ja.
Meningjiti është një sëmundje që shkaktohet nga një lloj bakteri i veçante (meningoku), i cili prek shtresat mbrojtëse që mbështjellin trurin./KOHA/