Tirana zyrtare do të jetë nesër nikoqire e takimit joformal të liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të komisionit nga Brukseli.
Me këtë rast, kryeministri shqiptar, Edi Rama, do t’i presë në një takim joformal, liderët e rajonit si dhe komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ndërkohë, nga Prishtina zyrtare ende nuk është konfirmuar nëse do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit ndodhet aktualisht në Greqi, ku po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI. Megjithatë, sipas burimeve të RTSH-së pjesëmarrjen në takimin joformal të liderëve në Tiranë e ka konfirmuar zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Pjesëmarrjen në takimin e Tiranës e kanë konfirmuar të katër liderët e vendeve të tjera, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo./RTK/