Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë asfaltuar disa rrugë në Komunën e Graçanicës.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka bërë të ditur se këtë vit ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë edhe investime shtesë në këtë komunë.
“Është shtruar rruga ‘Bajrush Kelmendi’, ‘Hasan Prishtina’ dhe ‘Jashar Krasniqi’ në fshatin Shushicë të Graçanicës. Rruga ‘Bajrush Kelmendi’ është e gjatë 1 km. Pas 50 viteve pa rrugë, familjet që jetojnë aty mund ta gëzojnë tash këtë nevojë bazike. Kurse rruga kryesore ‘Hasan Prishtina’ çon deri te Kisha Ortodokse. Në Kishnicë e kemi riasfaltuar rrugën kryesore ‘Ibrahim Rugova’, ku kemi rregulluar edhe trotuarin si dhe kemi krijuar parkingje të reja”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka treguar se gjithashtu është bërë asfaltimi i rrugës kryesore edhe në Lagjen e Romëve.