Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ai ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.
Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.
Tre policë u kidnapuan të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policët serbë. Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë reagim për rastin. Ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë nga Kurti të ndërmerr hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.
Kurti është shprehur i habitur edhe me faktin që KFOR-i ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me vendin ku ka ndodhur ngjarja.
“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpalosim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR-i nuk del me një shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kurti.
Kurti në konferencë ka prezantuar edhe një hartë, nëpërmjet të cilës ka treguar se kidnapimi i policëve të Kosovës ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës.
“Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por për kidnapim në Kosovë … nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të vijës kufitare nga policët siç pretendohet rrejshëm nga Serbia”, ka theksuar Kurti.
“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as deskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë shkelje e Rezolutës 1244, por është komandanti i KFOR-it për çdo deklaratë e përmend Rezolutën 1244, sepse e ka shpeshtuar përmendjen e saj. Ne e konsiderojmë Kushtetutën si e drejtë dhe përgjegjësi”, ka shtuar Kurti.