Serbia vazhdon të mbajë të bllokuar transmetimin e energjisë elektrike në kufirin energjetik të Kosovës dhe Serbisë. Kështu që operatorët komercialë janë duke tregtuar energjinë elektrike në Kosovë duke shfrytëzuar rrugët alternative nga shtetet tjera të rajonit, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).
“Kjo mungesë e bashkëpunimit nga ana e Serbisë ka ndikim në tregun rajonal si dhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.
Ndërprerja e transmisionit ka ndodhur që nga 14 dhjetori, kur KOSTT-i ka filluar të operojë si i pavarur dhe të kontrollojë kufijtë energjetikë të Kosovës.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se pengesat e tilla shkaktojnë humbje financiare për KOSTT-in dhe për zgjidhjen e këtij problemi, sipas tij, autoritetet kompetente në Kosovë duhet të kërkojnë nga Bashkësia Ndërkombëtare në mënyrë që të bëhet presin tek autoritetet e Serbisë. Sipas Abazit, nëse pengesat vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohore, do të ketë ndikim edhe në ngritjen çmimit të energjisë.
“Unë mendoj se efekti nuk duhet të jetë aq afatgjatë sa që të ndikojë në fatura. Por, në qoftë se kjo ndodh, atëherë do të jetë një alarm se duhet të shfrytëzojmë më tepër diplomacinë tonë, më tepër qeverisja të shfrytëzojë mekanizmat e diplomacisë që të ndikojë edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në këto mekanizma që në fund jemi anëtarësuar, që të ndërhyjnë dhe të ndalojnë këtë sjellje të Serbisë”, thotë Abazi.
Aktualisht, çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar, thotë zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, duke shtuar se blerjet e energjisë janë duke u realizuar kryesisht nga Berza e Hungarisë.
Abazi: Kosova duhet të jetë e barabartë në tregun energjetik
Megjithatë, Dardan Abazi, shprehet se Kosova duhet të jetë e barabartë me shtetet tjera në tregun e energjisë.
“Mendoj se sjellja e Serbisë duhet të ndalohet në kohë dhe kjo është e mundur të bëhet përmes mekanizmave shtetërorë të ndikimit në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), që është autoriteti përfundimtar që duhet të ndalojë këtë sjellje të Serbisë. Të ndëshkojë atë (Serbinë) për këto praktika dhe të edukojë se si duhet sillet dhe mos ta trajtojë Kosovën si të pabarabartë në tregun e energjisë”, thekson ai.
KOSTT: EMS nuk ka shprehur gatishmëri për marrëveshje
Por, zyrtarë të KOSTT-it tregojnë se kanë dërguar marrëveshjet për operim të sistemit interkonektiv tek operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë), por ky operatorë ende nuk ka shpreh gatishmëri për marrëveshje. Gjithashtu, thuhet se KOSTT është duke punuar ngushtë më Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), për zgjidhjen e këtij problemi.
Nga 14 dhjetori, KOSTT-i operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe ENTSO-s në muajin qershor të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje hyri në fuqi më 29 shtator, 2020.
Por, edhe para pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia vazhdimisht ka shkaktuar probleme me alokimin e kapaciteteve, ka thënë muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.
Po ashtu, qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë dhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia. Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar në këto komuna.
Disa qytetarë duke kaluar në urën mbi lumin Ibër që ndan pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.
ZRRE: Kompania “Eletroserver D.O.O” ka aplikuar për licencë
Më 28 dhjetor 2020, në zyrat e Rregullatorit për Energji është dorëzuar aplikacioni për marrje të licencës për furnizim me energji elektrike nga kompania “Elektrosever D.O.O”, thuhet një përgjigje nga zyra për informim e Rregullatorit për Energji.
“Rregullatori, me qëllim të shqyrtimit të këtij aplikacioni, ka krijuar Komisionin për vlerësimin preliminar, i cili vlerësim pastaj përcillet te Bordi i Rregullatorit me qëllim të marrjes së vendimit përfundimtar”, thonë nga kjo zyrë.
Afati për shqyrtimin e një aplikacioni mund të zgjasë deri në 60 ditë prej datës kur aplikacioni konsiderohet i kompletuar. Megjithatë, siç thuhet në përgjigje, aktualisht Bordi i Rregullatorit e ka të pamundur të marrë vendime, pasi që ka vetëm dy anëtarë nga pesë sa është e përcaktuar me ligj që të jenë, apo i mungon së paku edhe një anëtarë në mënyrë që të mund të marrë vendime ashtu siç kërkohet me Ligjin për rregullatorin e energjisë.
Më herët, zyrtarët e KOSTT-it kanë deklaruar për REL-in se nga viti 2008 e deri më tani, shteti i Serbisë në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë eurosh