Asociacioni, si kërkesë e ndërkombëtarëve, me hezitim deri tash të Qeverisë së Kosovës, ka shtyrë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, që të inkuadrohet në përpjekje drejt themelimit të tij. Përmes një draft-propozimi që ua ka dërguar dje Francës e Gjermanisë, “i shkruar nga ekspertë të nivelit të lartë”, Rama është vënë në mision që të ndikojë në zgjidhjen e nyjës së Asociacionit. Inkuadrimi i Ramës në këtë diskurs, nuk i pëlqeu pushtetit në Kosovë, duke thënë se nuk kanë nevojë për një shpëtimtar. Reagime pati edhe nga politikanë shqiptarë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, “bombardoi” sot opinionin kur deklaroi se të mërkurën ua ka dorëzuar presidentit francez, Emanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e kishte planifikuar prej kohësh, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Rama tha se ky është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, siç ka thënë ai, kur palët nuk po arrijnë të merren vesh assesi.
“Palët s’po merren vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst. Ky natyrisht është dokument konfidencial, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, tha Rama, ndër të tjera.
I bindur, kryeministri shqiptar deklaroi se asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, nuk e duan Asociacionin, dhe se do të bëjnë çmos për ta shtyrë themelimin e tij “me lloj-lloj artificesh politike apo teknike”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar ende këtë veprim të homologut të tij nga Shqipëria. Komente nuk ka pasur as nga Parisi e Berlini.
Deputetët e pushtetit në Kosovë e ‘kryqëzojnë’ Edi Ramën, reagojnë edhe nga opozita
Inkuadrimi i Edi Ramës në çështjen delikate të Asociacionit nuk u prit mirë nga pjesëtarë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, por jo vetëm. Edhe LDK-ja e kritikoi, kurse PDK e mbështeti. Reagime pati edhe nga politika shqiptare, të cilët po ashtu s’patën fjalë të mira për këtë veprim të kryeministrit Rama.
Me t’u bërë i ditur lajmi, një numër i deputetëve të VV-së shpërthyen me reagime, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, u përpoq që ta lironte Ramën nga, siç tha ai, “shqetësimi që e paska kapluar”.
“Qenka shqetësu Kryeministri Edi Rama për shqetësimin e mikut të tij, e që është Asociacioni. Bile e paska marrë mundin me draftu një statut! Z. Rama, a keni dërguar tek bashkësia ndërkombëtare ndonjë statut për ndonjë Asociacion për shqiptarët e Luginës?”, reagoi Basha.
Adnan Rrustemi, po ashtu deputet i VV-së, ka ironizuar duke thënë se kryeministri i Shqipërisë kot e ka dërguar draftin tek Macron e Scholz, pa ia dërguar fillimisht atë Dejona Mihalit, “mashës së kontrollit” në këtë parti.
“Rama paska dërguar draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe te Scholzi dhe Macroni. Kot i dërgon në Berlin e Paris pa i dërguar njëherë te Dejona Mihali”, ka shkruar deputeti Rrustemi.
Ka reaguar po ashtu edhe deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja. Sipas tij, duke dërguar këtë draft në Berlin e Paris, “Rama vetëm po e shpërfaqë dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin. Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”, është shprehur Muja në Facebook.
Kritikat e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishin të bëjnë me faktin se kryeministri Rama nuk u konsultua me Qeverinë e Kosovës para se ta dorëzojë këtë draft.
Ajo tha se Kosova nuk ka nevojë për një shpëtimtar, duke aluduar te Edi Rama.
“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkojë keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila, derisa tregoi se nuk e kanë parë draft-statutin e Asociacionit.
“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar”, tha tutje ajo.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, reagoi kryetari Lumir Abdixhiku, dhe deputeti Arben Gashi.
Abdixhiku tha se propozimi që nuk e ka vulën e Qeverisë së Kosovës, nuk ka vlerë.
“Pa i ditur motivet e këtij propozimi, unë po them se është i gabuar në substancë, sepse buron nga dikush e diku që s’duhej të vinte”, tha ai në T7.
Edhe deputeti Gashi tha se kompetente për propozimin e statutit dhe menaxhimin e raporteve me ndërkombëtarët është Qeveria e Kosovës dhe asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër.
“Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka shkruar Gashi.
Politikanët shqiptarë, veprimin e Edi Ramës, e quajnë “akt antikombëtar”
Sali Berisha e ka cilësuar draftin qeverisë shqiptare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një draft të hartuar në Beograd e më pas të rishkruar në Tiranë.
Për Berishën, ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe siç thotë ai, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin.
“Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë”.
Pas këtij veprimi, Berisha madje e quajti Ramën “vasal të Vuçiqit” si pjesëmarrës në këtë “histeri antikombëtare”.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm me komunikim konstruktiv me institucionet kosovare dhe kryeministrin Albin Kurti.
Meta deklaron se nuk është e nevojshme të bëhen ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, që mund të acarojnë dhe përshkallëzojnë këtë situatë delikate.
“Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë” ka shkruar Meta.
Sipas tij, Kurti në vazhdimësi ka treguar përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Vuçiqi ka demonstruar të kundërtën.
Ndërsa deputeti demokrat, Klevis Balliu, u shpreh se Rama është haptas kundër Kosovës.
Sipas tij, kryeministri Rama është në sytë e gjithkujt në botë si një oficer i Vuçiqit, dhe se ai ka urrejtje raciste për Kosovën, njësoj si Serbët.
“Ai është në sytë e gjithkujtë në botë si një oficer i Vucicit, ai ka urrejtje rraciste për Kosovën njësoj si Serbët. Turbullirat e sotme politike nuk do ta shpëtojnë atë nga ndëshkimi Kombëtar”, ka shkruar Balliu.
Të tjerët e duartrokasin veprimin e Ramës, bëjnë thirrje që drafti të merret parasysh
Veprimi i kryeministrit Edi Rama, përkundër kritikave, nga disa të tjerë u duartrokit.
Vetë Rama tha se nuk e ka pasur për qëllim që t’i hyjë në mes askujt, por se synon që të kontribuojë në tryezën e dialogut.
“Unë nuk kam marrë përsipër të hyjë në mes të askujt nuk është kjo detyrë e imja, unë kam marrë përsipër të kontribuojë për tryezën e dialogut nëpërmjet kumbarëve të procesit që janë që janë presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë, iu takon atyre të bëjnë atë që dëshirojnë me këtë kontribut, sepse ishte gati për tu bërë dhe tani janë kushtet për tu bërë”, ka thënë Rama.
I njëjti theksoi se nuk po e sulmon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por ndjen keqardhje pasi tha se e gjithë bota demokratike po e fajëson atë.
“Unë nuk sulmoj Albin Kurtin. Albin Kurtin e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe mbiemër dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar dhe as sulmuar Albin Kurtin”, ka thënë Rama.
Tutje, ndonëse tha se nuk e ka parë ende Draft-Statutin, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, deklaroi se Shqipëria është shumë e afërt me Kosovën, dhe se me siguri kjo çështje do të trajtohet në takimin e dy qeverive.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen më 14 qershor, në Gjakovë.
“Shqipëria është shtet shumë i afërt me Kosovën, e di që flasin qeveri me qeveri. E di që javën e ardhshme kanë takim, jam i sigurt që do të flasin për shumë çështje. Qeveria e Kosovës të dëgjojë për këto, të gjejë mënyrën e duhur para, por një që tregon mirëkuptim për brengat e miqve”, ka deklaruar Abbott.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama, duhet ta ketë mbështetjen në Kosovë.
Ai ishte nga të paktit që tha se e ka parë përmbajtjen e këtij dokumenti.
“Unë e përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama dhe Shqipërisë, që ka pasur rol në të kaluarën dhe duhet të ketë edhe sot, në tejkalimin e situatës në veri të vendit. Asociacioni nuk është një shpikje e kryeministrit Rama, është një obligim nga vitit 2013, për te cilën unë kam qenë edhe në atë kohë që të zbatohet, që të krijohet”, tha ai.
Hoxhaj theksoi po ashtu se drafti i propozuar nga Rama është hap i duhur dhe i drejtë.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka arsye të fortë pasi propozoi një draft-statut për Asociacionin.
Pacolli tha se Rama gjithmonë është interesuar të gjejë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, ai tha se në shumicën e rasteve, propozimet e kryeministrit Rama kishin qenë të duhura.
“Ai gjithmonë ka pasur kritika ndaj punës apo udhëheqësve të Kosovës, shumicën e rasteve me arsye, ndonjëherë pa arsye. Por në fund të fundit pothuajse gjithmonë ka pasur të drejtë”, deklaroi ai. /Reporteri.net/.