Kosova duhet të zbatojë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Perëndimi me Serbinë nëse dëshiron të arrijë qëllimin e saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, thanë të hënën dy senatorë amerikanë që vizituan Prishtinën.
Senatorët demokratë amerikanë, Chris Murphy, një anëtar i komitetit të marrëdhënieve me jashtë, dhe Gary Peters, i cili është pjesë e komitetit të shërbimeve të armatosura, u kërkuan të dy vendeve të veprojnë shpejt në lidhje me marrëveshjen e arritur në mars me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ata janë pjesë e një delegacioni të Kongresit që viziton Ballkanin.
“Rruga [e Kosovës) drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian kalon përmes një marrëveshjeje me Serbinë. Ky është një fakt i vështirë,” u ka thënë Murphy gazetarëve në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, raporton Reuters, përcjellë Dukagjini.
Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nuk njihet si shtet nga katër anëtarë të NATO-s: Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia por Murphy ka thënë se të katërt shtetet mund të binden të pranojnë Kosovën në NATO nëse zgjidhen mosmarrëveshjet me Serbinë.
Por sipas tij e gjithë “Kjo varet nga realizimi dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje[Ohrit]”.
Pavarësisht nga një marrëveshje në mars për normalizimin e marrëdhënieve, nuk ka pasur përparim në terren, veçanërisht në veri të Kosovës, ku rreth 50,000 serbë ende nuk e pranojnë shtetësinë e Kosovës.
Uashingtoni është mbështetësi kryesor i Kosovës, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Aktualisht ka rreth 4,000 trupa të NATO-s në Kosovë, prej të cilëve 600 janë nga Shtetet e Bashkuara për të ruajtur paqen e brishtë.
Serbia dhe aleati i saj tradicional Rusia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Moska e ka bllokuar ofertën e vendit për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Beogradi ende e konsideron Kosovën pjesë të territorit të tij.