Ylfete Fanaj është zgjedhur sot si ministre kantonale, duke u bërë kështu e para shqiptare që i besohet një detyrë ekzekutive në Zvicër.
Fanaj është ministrja e parë kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova, saktësisht nga Vërmica e Prizrenit.
Fanaj fitoi përfaqësimin e kantonit të Luzernit dhe kjo shënon edhe postin më të lartë ekzekutiv që një shqiptare mban në Zvicër.
Në të vërtetë është hera e parë pas tetë vjetëve që Partia Socialdemokrate arriti të rikthehet në qeverinë e Luzernit, falë Fanajt. Për tetë vite, PS nuk ishte më e përfaqësuar në ekzekutiv të këtij kantoni.
Fanaj fitoi garën me 45,053 vota ndaj Hauser me 39,674 vota. Po kështu, Fanaj, bashkë me kandidaten Michaela Tschuor nga Partia e Qendrës (Die Mitte), janë gratë e para në qeveri, pas një kohë të gjatë.
“Shumë urime për Ylfete Fanajn! Nga sot e para ministre kantonale në Zvicër me origjinë nga Kosova. Socialdemokrate, e afërt me njerëzit, e angazhuar për një shoqëri me shanse të barabarta, luftëtare me argumente, një zë origjinal dhe i shumëngjyrshëm politik në Zvicër: sot Ylfete Fanaj u zgjodh ministre në qeverinë e kantonit të Luzernit. Deri më tani ky është posti më i lartë ekzekutiv që në Zvicër e fiton një politikane me prejardhje nga Kosova. Ylfete Fanaj zhvilloi një fushatë elektorale shumë simpatike. Ajo në fjalimet e saj nuk përjashtoi askënd, por u angazhua për gjithëpërfshirje, gjithnjë sipas motos së saj politike dhe njerëzore: kurrë mos ua këputni krahët njerëzve që duan të fluturojnë! E kam përcjellë me kureshtje gati 20-vjeçare rrugëtimin politik të Ylfete Fanajt dhe sot jam tejet i lumtur për suksesin e saj të merituar. Me shembullin e saj, ajo shpresoj të jetë inspirim sidomos për shumë vajza shqiptare të mërgatës sonë dinamike”, ka shkruar në Facebook gazetari dhe publicisti Enver Robelli.
Për marrjen e detyrës së re, Fanaj është përgëzuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se Ylfete Fanaj është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme.
“Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim. Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive”, thuhet në deklaratën e presidentes.
Tutje, Osmani ka shkruar se “Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme”.
“Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën”, thotë ndër tjera Osmani.