Kryeministri Albin Kurti deklaroi se shifrat në fushën e ekonomisë gjatë dy viteve të fundit tregojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Ai deklaroi se gjatë dy vjetëve, taksat janë rritur në 66 për qind, e investimet e huaja direkte janë dyfishuar.
“Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes tonë, kemi gjeneruar më shumë të ardhura për ekonominë, sesa në tre vitet e mëparshme së bashku. Në të njëjtën kohë, renditjet e organizatave të respektuara ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin tonë të rëndësishëm në fushat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. I kemi forcuar gjithashtu urat me fqinjët tonë të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se lufta në Ukrainë, protestat për ndryshimet klimatike dhe rritja e rezistencës ndaj pabarazisë sociale, kanë shënuar fundin e një kohe ku “fitimi mund të shkëputet nga vlerat etike”.
“Përafrimi i vlerave tona thelbësore me objektivat tona ekonomike ka qenë qasja me të cilën qeveria jonë ka vendosur të zotërojë detyrat në fjalë. Ne shmangëm zgjidhjet e shpejta në favor të veprimeve të shumëanshme që do ta bënin shoqërinë tonë më të barabartë, elastike, të begatë dhe të qëndrueshme. Kjo do të thoshte se përpjekjet tona për të frenuar korrupsionin dhe krimin duke nisur mbi 850 operacione policore u kombinuan me përpjekjet për t’iu kthyer grupeve të cenueshme më të prekura nga ky korrupsion. Rritëm masat e sigurimit të mirëqenies, si subvencionet për 340,000 fëmijë nën moshën 16 vjeç dhe nënat e reja, si dhe ndihmën studentore për 66,000 studentë. Ne kemi lannsuar gjithashtu një platformë punësimi për të rinjtë që ka krijuar mbi 2000 vende pune vetëm në një muaj”, shtoi ai.