Me 4, 5 dhe 6 maj, në Gjonaj të Hasit, do të mbahet edicioni 34 i Festivalit Folklorik “Hasi Jehon 2023”. Ky festival, është i listuar aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore shpirtërore të Republikës së Kosovës. Edicioni i radhës do të jetë ndryshe nga edicionet e kaluara, pa anëtarin, instrumentalistin dhe valltarin e palodhur, Besnik Osmanollaj, i cili ndërroi jetë më 11 mars 2023. Këtë vit mbahet për herë të 34- të, ka karakter kombëtar me pjesëmarrje edhe të shumë grupeve artistike nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova Lindore dhe Mali i Zi e Diaspora . Festivali ka marrë përmasa të mëdha me një pjesëmarrje masive të SHKA- ve dhe grupeve artistike dhe ka një shikueshmëri shumë të madhe që e shndërron Festivalin në një Festë të madhe për tërë Regjionin dhe jo vetëm. Në kuadër të Festivalit organizohet sesion shkencor me studiuesit e folklorit nga Instituti Albanologjik dhe Akademia e Shkencave të Tiranës.
Tashmë janë përzgjedhur të gjitha ansamblet dhe grupet konkurruese të cilat do të jenë pjesë e një ngjarje muzikore në Gjonaj të Hasit. Pasi grupi përzgjedhës ka bërë përcaktimin e të gjitha pikave muzikore që do të jenë pjesë përbërese e edicionit më të ri të Festivalit “Hasi Jehon”, dhe mbetet që këto grupe të krijojnë plotëninë programore artistike deri më 4 maj kur Festivali hap siparin e sivjemë. Dihet se Këshilli organizativ i Festivalit “Hasi Jehon”, edhe këtë vit ka krijuar një platformë të qartë rreth zhvillimeve më të reja që ndërlidhen me këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Ky Festival, tashmë ka krijuar një kredibilitet të veçantë sa i përket statusit të vet. Festivali “Hasi Jehon” është shpallur aset kulturor në listë regjistër të Trashegimisë Kulturore të MKRS-së.
Prandaj, edhe grupi seleksionues, në përbërje: Shaqir Hasi, muzicient, Dilaver Kryeziu, koreograf i valleve dhe Sami Piraj, kritik i muzikës, duke u bazuar në këto specifika që përcaktohen nga kjo listë, vizituan grupet dhe individët e folklorit, për të rrumbullaksuar programin që pritet të shfaqet për tri netë rradhazi në Gjonaj. Vendimet që reflektojnë detyrime artistike të trashegimisë shpirtërore, ishin bazë e përcaktimeve të grupit përzgjedhës për të zbatuar me përpikëri format avansuese organizative dhe artistike, si dhe renditjen definitive të grupeve në program. Përveç tjerash, grupi përzgjedhës ka ofruar edhe fakte të reja që rrjedhin nga detyrimet e statusit të festivalit, për të qenë sa më koherent në vlerat e traditave dhe bazës së foklorit tonë autentik. Zotimi i Ansambleve ishte i qartë dhe bazuar në rregulloren e Festivalit, dhe se ata pritet të intensifikojnë përgatitjet e tyre artistike.Lista përfundimtare e Ansambleve që marrin pjesë në Festivalin “Hasi Jehon’2023” është transparente dhe ajo krijon një bazë të mirë për suksesin e festivalit, bazuar në risitë që do ti sjellin garuesit e festivalit në skenë.
Drejtori i festivalit “Hasi Jehon” dhe kryetari i SHKA “Malësori”, Haziz Hodaj, tre ditë para fillimit të festivalit, tha se po e organizojmë këtë ngjarje për faktin se ai është tashmë në agjendën e institucioneve shtetërore të Kulturës, por të këputur e të thyer shpirtërisht, pasi në këtë edicion do të na mungojë anëtari jonë i devotshëm, Besnik Osmanollaj, të cilin do t’i bëjmë homazh në hapje të festivalit. Ai tha më tej se, sivjet është punuar shumë në ngritjen e nivelit artistik të festivalit përmes përzgjedhjes profesionale të shoqërive kulturo-artistike për të vënë vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, pasi jemi listuar si aset i mbrojtur. Gjithashtu, kjo çështje ka ndikuar edhe në aspektin organizativ të organizimit të festivalit, theksoi më tej ai. Drejtori Hodaj, thotë se “ Hasi jehon” edhe sivjet pritet të zgjojë kërshërinë jo vetëm të hasjanëve.
Mbrëmjen e parë (4 maj) kur është edhe ajo pjesë solemne do të jetë një homazh për valltarin dhe solistin në kavall të ndjerin, Besnik Osmanollaj i cili kohë më parë ndërroi jetë, konsiderohet një hendikep jo vetëm për ansamblin “Malësori” të Gjonaj, por edhe tërë stafin organizativ të Festivalit, ndërsa një këngë kushtuar këtij artisti të shquar, do ta këndojë në hapje solemne këngëtarja, Shyhrete Osmanollaj.Pas hapjes së Festivali nga nikoqir SHKA “ Malësori”, garës së kësaj mbrëmjeje i paraprinë Ansambli “Çeta e Profetëve”nga Kruma për të vazhduar më rapsodin, Besim Muhadri, SHKA “Deçani”, “Minatori i Ri” Kizhnicë, AKV “ Mati” Burrel, SHKA “Duflla” Raqë- Saraj, Gr.rapsodik i nxënësve të shkollës fillore “Luigj Gurakuqi”- Nashec, SHKA “Kemajl Azizi” – Viti dhe në fund AKV “Përparim Topçini” – Peshkopi.Mbrëmja e dytë do të fillon me programin e përzgjedhur të Ansamblit “Kastriotët” e Ferizajt, duke vijuar me AKV “ Drenica”- Skenderaj për të vazhduar me AEK “Katarina Josipin” nga Zymi, pastaj ansamblin “Selman Kadria” nga Istogu. Vijon programi i grupit artistik nga Gjimnazi i Reshenit- Shqipëri, SHKA “Sharri” nga Hani Elezit, “Dibra e Madhe” Dibër, SHKA “Bresana”- Bresanë dhe në fund të programit për natën e dytë, para publikut do të paraqiten rapsodët: Jahir Nuredini , Xhemajl Gllavica, Bahri Rashiti dhe Fatmir Makolli.Mbrëmja e tretë është rezervuar për AA “Kuvendi” nga Zalldardhë (Shqipëri), AKV “Zëri i Kamenicës”-Kamenicë, SHKA “Rapsha” Tuz (Mali ZI), këngëtarja Vlora Duraku , AFA “Rugova” Pejë, SHKA “Jahi Hasani” – Gostivar, SHKA “Shote Galica” – Drenas, AKV “ Shqiponja” – Shkup. Në përfundim të Festivalit, Ansambli “Shota” do të prezantohet me nje vistër të valleve dhe veshjeve karakteristike jo vetëm të Hasit por edhe trevave shqiptare. Në fund, këngëtari, Bajram Gigollaj, do të paraqitet para publikut me Këngë për Hasin, ndërsa përmbyllja do të bëhet me Hasjan Bajram Gigollaj & Golden Ag të cilët do të bëjnë promovimin e këngës kushtuar Hasit.
Për tri mbrëmjet e këtij Festivali para publikut, rrjeteve sociale,radiotelevizioneve dhe formave tjera të publikimit do të paraqiten vlerat më autentike të folklorit tonë burimor si një thesar pacmuar. Në skenën e Festivalit do të kemi rastin e mirë që të shohim: Rapsodë kulminant, instrumentistë popullor me instrumentet më të vjetra, si: lahuta, gajdja , kavalli, bishnica, etj, do të kemi rastin të shohim rite e lojra popullore, doke e zakone të të gjitha trevave shqiptare. Kjo do të jetë skena e Festivalit “Hasi Jehon” gjithmonë e hapur për të plasuar trashëgiminë tone shpirtërorë e materiale. Festivali zhvillohet ne datat 4, 5 dhe 6 maj 2023. Gjatë tri ditëve të festivalit do të ketë edhe aktivitete tjera, si: do të bëhet një ekspozitë e fotografive të SHKA “Malësori” dhe të festivaleve të mëparshme “Hasi Jehon”, dhe gjithashtu një Ekspozitë e Veshjes Tradicionale Hasjane. Ngjarje apo Festival në vete është Ekspozita e prodhimeve të bukës dhe demonstrimin i gatimit të tyre në ambientet e festivalit si zeje tradicionale e Hasjanëve. Në ambientet ku mbahet festivali do të demonstrohet edhe punimi i veshjes tradicionale hasjane. Hapja solemne bëhet më 4 Maj në orën 18 00 kur edhe hapen ekspozitat!Programet e grupeve folklorike fillojnë në orën 19 00.