Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e vjetër, me rastin e 24-vjetorit të masakrës në këto fshatra, ka thënë se ajo që ka ndodhur është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe qëllimit të saj për të shfarosur shqiptarët.
“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”, ka thënë ai.
Derisa ka përmendur civilët e vrarë, Kurti ka kujtuar se vetëm në Poklek 25 nga 54 të vrarët kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.
“Pesë kanë qenë foshnje prej gjashtë muajsh deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muqolli, ka qenë veç 6-muajshe si foshnje kur është vrarë në këtë masakër”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka deklaruar se në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvend është mundësuar që Prokuroria e Shtetit, prokurorët specialë, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë.
“Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”, ka thënë ai.