Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se Kosova ka blerë vilën e dikurshme të komedianit të ndjerë britanik, Spike Milligan, për ta shndërruar në Ambasadën e Kosovës në Britani të Madhe.
Një ditë më parë, për blerjen e vilës në vlerë 6.5 milionë funtesh raporti prestigjiozja britanike “The Telegraph”. Pas raportimit, Kurti ka reaguar në rrjete sociale duke u shprehur i lumtur për këtë blerje.
“I lumtur të njoftoj që Ambasada e Kosovës në Britani të Madhe ka adresë të re dhe se së shpejti do të lëvizë në “Hyde Park” në një shtëpi që dikur ka qenë pronë e komedianit të ndjerë Spike Milligan. Jemi të nderuar me historinë kulturore që përmban lokacioni dhe synojmë të forcojmë lidhjet tona me Britaninë nga aty”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Siç ka shkruar “Telegraph”, marrëveshjen për blerjen e pronës e ka bërë ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti.
Milligan dhe autori Eric Sykes kishin blerë pronën prej 5697 metra katrorë në vitin 1967, duke e bërë atë seli të “Associated London Scripts”. Vila, që është ndërtuar në vitet 1890-ta, ka një seri të dhomave të mëdha në katin përdhese dhe katin e parë, ka tavane të larta dhe dritare të gjata. Është me lokacion në një prej zonave më të kërkuara për ambasada.
Stafi i Ambasadës së Kosovës raportohet se planifikon të bartet në pronën e re pasi të përfundohet puna e renovimit.
Marrëveshja mësohet se është aranzhuar nga “Beauchamp Estates”.
Në nëntor të vitit të shkuar, Qeveria pati miratuar vendimin për nisjen e procedurës për blerje të objekteve në Zagreb të Kroacisë dhe Dakar të Senegalit. Deri tash, Kosova ka nën pronësi objektet për ambasada në Bruksel dhe Tiranë.