Komuna e Gjilanit ka vendosur që përgjatë muajit të Ramazanit punëtorët që agjërojnë të nisin punën nga ora 09:00.
Ky vendim është marrë nga kryetari Alban Hyseni. Sipas vendimit, orari do të shkurtohet për një orë.
Me vendim, janë obliguar drejtoritë komunale që të mbajnë evidencë për zyrtarët publikë.
Zyrtari për media në Komunën e Gjilanit, Besart Selimi, i ka thënë KOHËS se vendimi është vetëm lehtësirë duke e arsyetuar atë me “vështirësinë e agjërimit”.
“Kryetari i Komunës ka marrë vendim që të gjithë ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit të fillojnë punën nga ora 09:00, pra një orë më vonë. Nuk është ndryshim i orarit por vetëm lehtësirë për një orë duke e pasur parasysh vështirësinë e agjërimit e orarit të hershëm të syfyrit. Kjo është një praktikë që është praktiku edhe vitin e kaluar dhe po besoj që praktikohet edhe në shumë institucione të tjera”, ka thënë Selimi.
Selimi ka thënë se vendimi është vetëm respektim i atyre që agjërojnë dhe se nuk bëhet fjalë për instrumentalizim të fesë.
“Kryetari i Komunës ka të drejtë të lirojë për kohë të papërcaktuar një person ose një grup punonjësish prej orarit të punës”, deklaroi Selimi.